Partizani mund të grumbullohet për dy javë, falë Ministrisë
Ndryshe nga fillimi i fazës së parë, ku ekipi u krijua në javën e parë të sezonit, përgatitjet për fazën e dytë kanë nisur në kohë për të kuqtë. Përgatitjet e para të 2012-s po kryehen me intensitet të lartë, pasi të shumtë janë lojtarët që janë afruar dhe që po testohen. Stafi me në krye dyshen e trajnerëve Perlat Musta-Marko Pelinxhi, si dhe administratorin Gjergji Thaka janë të angazhur maksimalisht dhe kërkojnë që në këtë merkato dimërore të krijojnë një grup më të fortë, i cili nuk do ta diskutojë ngjitjen në kategorinë e parë.
Pas mbylljes së fazës seleksionuese, flitet se Partizani mund të grumbullohet dhe të kryejë një fazë përgatitore dyjavore. Thuhet se Ministria e Mbrojtjes do tia mundësoi Partizanit këtë grumbullim dyjavor, dhe me shumë gjasa ajo mund të zhvillohet në një nga ambientet që disponon dikasteri. Një nga këto mundësi mund të jetë shtëpia e pushimit në Durrës, që njihet si Kavalishenca. Gjithashtu Minsitria ka shlyer edhe pjesën e mbetur të futbollistëve, që ishin në listën e miratuar. Për ditën e mërkurë është vendosur që të zhvillohet një ndeshje miqësore me Olimpikun, takim i cili do ti shërbejë stafit teknik si një mundësi seleksionimi i lojtarëve që po provohen te demat e kuq.
