E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luftëtari fiton miqësoren me autogolat e Tepelenës

Nga SOKRAT PAPADHOPULLI

Trajneri Dede njihet me ekipin, ku për herë të parë janë paraqitur Hithi dhe Rapa, të cilët mund të qëndrojnë për fazën e dytë

Viti 2012 për Luftëtarin filloi me miqësoren me Tepelenën fqinje. Dy ekipet në fjalë pretendojnë dikush më shumë e dikush më pak përkatësiht superligën dhe kategorinë e parë. Edhe pse miqësore, për trajnerin e Luftëtarit, Nevil Deden, është premjera e tij si dirigjent i ekipit gjirokastrit, që këtë sezon, më tepër se në 4 sezonet e mëparshme, pretendon superligën.

Ilir Selimi, trajner i Tepelenës dhe një ndër figurat e njohura të futbollit në jug, ish-lojtar dhe ish-trajner i Luftëtarit, kishte përgatitur kurthin, por e tradhtuan Sako dhe Skënderi, që shënuan në portën e tyre. Xhafa shënoi me 11-metërsh në portën e Luftëtarit dhe ndeshja u mbyll me rezultatin 2-1.

Formacionet Luftëtari në këtë miqësore aktivizoi këta lojtarë: Selimaj (Gërxholli 52), Hithi (Këndella 46), Sinani (Lazo 63), Brahimi (Bistri 55), Boci (Zholi 25), Çaço (Grabovaj 55), Devolli (Rapa 46), Stoja (Pjetrani 46), Mersini (Lluka 46, Thimjo 63, Kozaku 75), Braho (Kermezo 57), Nora (Shehaj 46). Ndërsa Tepelena ka aktivizuar si titullarë: Isaraj, Iljadhi, Skënderi, Sako, Qorri, R.Gaba, Gaba, Abazi, Cunaj, Kasneci dhe Xhafa. Si zëvendësues luajtën Spahiu, Çela, Sherifi, Hajdini dhe Burhani.

Golat u realizuan në minutat 34 dhe 62 nga Sako dhe Skënderi, të cilët shënuan në portën e tyre, kurse Xhafa shënoi me 11-metërsh në minutën e 65-të. Ndeshja u gjykua nga gjirokastritët R. Shosha, R. Zhuli dhe P. Puto, ndërkohë që u ndoq nga mjaft shikues, por edhe nga drejtuesit Flamur Bime e Qazim Muho. Me Luftëtarin u aktivizuan për herë të parë Indrit Hithi dhe Oltion Rapa, ky i fundit me gjirokastritët sezonin e kaluar. Të dy mund të bëhen pjesë e Luftëtarit për fazën e dytë.

Trajnerët Pas ndeshjes, trajneri i Luftëtarit, Nevil Dede, u shpreh:  Ndeshja na shërbeu për një ide më të qartë për kristalizimin e grupit. Synimi ynë është që të përmirësojmë në vazhdim edhe donjë mangësi për të arritur rezultatet e duhura dhe për të justifikuar investimin e bërë, por dhe për të kënaqur presidentin Flamur Bime, donatorin Qazim Muho dhe natyrisht tifozët gjirokastritë, të cilët kanë sezone që vuajnë për ekipin e tyre, që me të drejtë nuk e duan në kategorinë e parë, por aty ku e ka vendin si ekip tradicional i futbollit tonë. Ilir Selimi, trajner i Tepelenës, tha: Jam i kënaqur nga ekipi. Besoj se do ta kemi më të fortë se gjatë fazës së parë dhe do të pretendojmë ngjitjen në kategorinë e parë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›