E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnja gatuan superligën në kushte perfekte

Nga Julian Kasapi

Në Ulqin po provohet edhe një mesfushor bullgar dhe stafi teknik do të vendosë për të pas ndeshjes së parë miqësore që do të luajë skuadra

Lushnja stërvitet që prej ditës së mërkurë në Ulqin, ku stafi teknik kërkon nga futbollistët zbatimin e të gjitha porosive për marrjen e ngarkesave në këtë minifazë dimri. Verdhejeshilëve u duhet të jenë të vëmendshëm në 100% të mundësive të tyre, sepse secili do të vlerësohet nga stafi teknik në fund të kësaj faze. Skuadra e trajnerit Malko është kompletuar në mbrojtje me afrimin e Erjon Xhafës.

I larguari i vetëm mbetet Mërtiri, ndoshta për në superligë, pasi fieraku ka pasur disa oferta. Lushnja kryen dy seanca stërvitore në ditë në kampingun e Ulqinit, me ngarkesa të diferencuara nga seanca në seancë. Ngarkesat gjatë ditëve të qëndrimit në Mal të Zi do të vijnë duke u rritur, për të kulmuar në fund me fazën e teknikës, që skuadra do ta zhvillojë kur të kthehet në qytet.

Sekretari Shurdhi Lushnjarët kanë kushte mjaft të mira në këtë grumbullim, që do të zgjasë 12 ditë. Në këtë periudhë, përveç seancave stërvitore dhe ndonjë ndeshjeje miqësore, drejtuesit do ti kenë sytë edhe nga merkatoja e dimrit. Pavarësisht deklaratës së trajnerit Malko se nuk do të ketë më afrime, ka zëra se do të vijnë futbollistë të tjerë, madje një mesfushor nga Bullgaria. Interesimin për këtë të fundit e konfirmon sekretari i klubit, Judmir Shurdhi, i cili shprehet:

Skuadra i ka të gjitha kushtet që të zhvillojë një minifazë dimërore përfekte. Ka qenë dëshira e mirë e presidentit Tushe, që kontigjentit të futbollistëve dhe stafit teknik tu plotësohen nevojat për stërvitje cilësore në kuadër të arritjes së objektivit, ngjitjes në superligë. Nga ana tjetër, mendojmë edhe për merkaton.

Po provojmë një mesfushor bullgar dhe natyrisht që i takon stafit teknik të vendosë, nëse i duhet skuadrës apo jo. Prova më e mirë do të jetë një nga ndeshjet miqësore të programuara nga stafi teknik. Nëse do të kalojë provimin e stafit, mund të bashkohet me ne, – ka thënë sekretari Shurdhi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›