E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qirjako: Faza e dytë kërkon edhe një stol të fortë

Nga Kristi Lilo

Trajneri i Gramozit, Ilir Qirjako, pret që ekipit të tij ti bashkohen sa më shpejt disa lojtarë cilësorë me përvojë edhe në superligë 

Kushtet e vështira atmosferike nuk po i lejojnë drejtuesit dhe futbollistët e Gramozit të punojnë si duhet këto ditë të para të vitit. Dëbora e madhe, që ka mbuluar prej ditësh qytetin juglindor të Ersekës nuk lejon zhvillimin efikas të fazës përgatitore. Të detyruar nga këto kushte, kolonjarët do të stërviten në palestër, ndoshta edhe jashtë Ersekës, nëse krijohet mundësia. Trajnerët Qirjako dhe Hitaj, përveç përgatitjeve me ekipin, po mendojnë edhe për afrimet, sepse kjo është e vetmja alternativë për ta ngjitur Gramozin në klasifikim.

Për Sportin shqiptar, trajneri Qirjakjo thotë se po bëhen përpjekje maksimale të marrë disa elementë cilësorë dhe pritet që e hëna të sjellë të reja në këtë drejtim. Jemi në bisedime me 3 lojtarë cilësorë të superligës dhe jam shumë optimist se ata do të jenë pjesë e Gramozit fazën e dytë. Me emra konkretë nuk mund të flas pa marrë firmën e këtyre lojtarëve, por mund të them se ardhja e tyre do të zyrtarizohet shumë shpejt, – pohon trajneri Qirjako, i cili e ka thënë edhe më parë se përforcimet janë të domosdoshme për Gramozin.

Stoli Nuk kam pse ta fsheh faktin se na duhen përforcime në të gjithë repartet. Përveç sulmit, që e kam thënë gjithmonë se duhet të jetë më rezultativ, Gramozi duhet të forcojë edhe mbrojtjen e mesfushën, sidomos pas largimit të Shehut. E rëndësishme është që të kemi edhe një stol të fortë për fazën e dytë, sepse vështirësitë do të jenë më të mëdha. Si trajner, në punën time kam dashur të rris edhe konkurrencën, që e bën çdo lojtar të japë më të mirën mundshme.

Këtë sezon kemi dalë nga pretendimet, por kjo nuk duhet të na inkurajojë. Përkundrazi, duhet të luftojmë deri në fund, pasi edhe mund të rrezikojmë. Vetëm 4 pikë na ndajnë nga vendi i parafundit, kështu që afrimi i lojtarëve cilësorë është i nevojshëm. Për afrimin e tyre kam marrë mbështetjen e kryebashkiakut Laho,- ka përfunduar trajneri Ilir Qirjako.

Mukaj Gjatë seancës së djeshme janë bashkuar me ekipin veterani Peçi dhe skraparliu Musabelliu, të cilët kanë munguar gjatë gjithë javës së parë të stërvitjes. Një lojtar tjetër, që pritet ti bashkohet Gramozit sot, është sulmuesi Mukaj, që ka luajtur edhe sezonin e kaluar me të.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›