E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuzhe: Dua fitoren,ndaj do luaj këtë takim me 2 sulmues

 

Leonard Karaj

Kombëtarja shqiptare do të futet në fushë ndaj Danimarkës për të marrë tri pikë. Deklarata vjen nga trajneri i ekipit përfaqësues Josip Kuzhe, gjatë konferencës së djeshme për shtyp. I ndërgjegjshëm për vështirësinë ndaj danezëve, kroati kërkon fitore edhe pse me gjysmë zëri ka nxjerrë si pretekst në rast dështimi mungesën e mbrojtësit Kristi Vangjeli. Ky i fundit pësoi një dëmtim gjatë seancës së parë stërvitore dhe do të mungojë për 6-8 javë. Për shkak të mungesës së tij Kuzhe pohon se do të ndryshojë formacionin por gjithsesi do të luajë me dy sulmues. “Kundër Danimarkës do të mundohemi të bëjmë diçka të mirë, duke mos parë më nga e kaluara. Do të mundohemi të përmirësojmë grupin në mënyrë konstante, por ajo që unë mund të them në këto momente, është se më shqetëson shumë dëmtimi i Vangjelit. Ai është një lojtar tepër i rëndësishëm për ekipin dhe për këtë ndeshje unë duhet të ndryshoj diçka për shkak të mungesës së tij. Agollin më duhet ta spostoj në linjën e katër mbrojtësve, pra ai do të jetë më difensiv. Por gjithsesi do të luajmë me dy sulmues. Mua do më pëlqente më shumë një lojë, ku mesfushorët të jenë mjaft aktivë, sidomos ata që dinë të mbajnë topin dhe krijojnë raste. Kjo, natyrisht, është një ndeshje krejt tjetër nga ajo me Qipron”, ka pohuar Kuzhe. Ndërkohë i pyetur nëse ai dhe skuadra ndjente presionin e kundërshtarit, si i vetmi që ka mundur Shqipërinë me rezultatin 3-0 në këto eliminatore, Kuzhe tentoi të ç’dramatizonte situatën. “Mendoj se Danimarka është një ndeshje e radhës për ne. Sigurisht që do të më pëlqente të fitoja, por për mua gjëja më kryesore do të ishte që tifozët të ngeleshin të lumtur. Pra, edhe nëse ne mund ta humbim këtë ndeshje, do të doja që publiku të ishte i kënaqur, për atë që ekipi do të japë në fushë. Vijmë nga një rezultat shumë i mirë ndaj Qipros. Ka qenë një Shqipëri që luajti shumë mirë futboll dhe kundërshtari pati shanset e veta, sidomos në 20 minutat e para. Por ne e morëm ndeshjen nën kontroll dhe fitorja ishte mëse normale, ndaj nuk do të kërkoja më shumë se të luanim me të njëjtin shpirt gare edhe ndaj danezëve”, ka vazhduar kroati i pankinës kuqezi. Në fund tekniku ka hapur një derë edhe për një nga veteranët e kombëtares shqiptare, Altin Haxhi, kjo jo vetëm për formën e shkëlqyer që ai po kalon te APOEL në Qipro por edhe sepse është i vetmi futbollist shqiptar që merr pjesë në Kupën e Kampioneve. “Të them të vërtetën jam i informuar për gjendjen e Altin Haxhit. Unë di që përpara dy vitesh ai ka dhënë dorëheqjen nga Kombëtarja. Tashmë, rikthimi varet nga Haxhi, pra sa do të jetë i gatshëm për t’iu përgjigjur ftesës sonë. Megjithatë, më duhet të bisedoj vetë me lojtarin”, ka përfunduar Kuzhe.

Curri-Dallku: Danimarka na motivon

Nuk është rastësi që ndeshjet më të mira Shqipëria i ka zhvilluar ndaj skuadrave elitare. Të njëjtën gjë pohojnë edhe dyshja Curri-Dallku të cilët besojnë se ndaj Danimarkës do të jenë edhe më të motivuar. “Kemi dëshmuar se ndaj skuadrave të mëdha kemi luajtur edhe më mirë kështu që do të provojmë të japim më të mirën tonë edhe ndaj Danimarkës. Unë besoj në një rezultat pozitiv edhe sepse luajmë në fushën tonë”, ka pohuar Debatik Curri. Ndërsa Armend Dallku ka pohuar se mbi kuqezinjtë nuk ka asnjë lloj presioni ndaj do të luajnë më të lirshëm sesa danezët. “Nuk kemi ç’të humbasim. Luajmë për prestigj ndaj edhe do të jemi edhe më rezultativë”, ka pohuar Dallku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›