E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthejnë puset, dëmtohen sërish shtëpitë e Zharrëzës

 

FIER/ MAJLINDA RAMA

Përsëriten shpërthimet në zonën e Zharrëzës dhe Kuqarit në Patos të Fierit. Edhe pse e kishin harruar frikën e makthin e krijuar 2 muaj më parë, banorët kanë zbritur sërish në protestë, pas një lëkundjeje të fuqishme të tokës, ndodhur rreth orës 15:50 të ditës së djeshme. Banorët e zonës thonë se veprimtaria e puseve të naftës kishte vazhduar, por deri dje në mesditë nuk kishin pësuar tronditje. Ata janë mbledhur në një protestë kundër kompanive të përpunimit të naftës, duke bllokuar 3 bote nafte në sektorin 6, ndërsa kanë deklaruar se do të ndalojnë vazhdimin e punimeve. “Nuk do të lejojmë që të punohet sepse po na dëmtojnë dhe na thonë që bie tërmet. Do të përballemi me ta me çdo lloj mënyre”, ka deklaruar Alfred Malaj, një banor i zonës. “Kishte kohë që nuk trembeshim më orë e pa orë nga lëkundjet e tokës. Menduam se situata u qetësua, por gaboheshim. Gjithë këto ditë kompania e naftës ka vepruar në puse por pa bërë asnjë veprim që shkakton këto dridhje të fuqishme. Pikërisht sot jemi ndjerë të rrezikuar. Një goditje shumë e fortë ndodhi rreth orës 15:50, që na kujtoi së nuk jemi të sigurt”, shprehet Hektor Dilaveri, duke shtuar se dhe rrëshqitje toke po shfaqen në zonë. Pas dëmeve të shkaktuara nga tronditjet e mesit të korrikut të këtij viti, banorët kishin nisur punën për riparimin e tyre. Atyre iu premtua për dëmshpërblim nga kompanitë e naftës, por kjo jo vetëm që nuk ndodhi, por frika u rikthye sërish. “Si është e mundur që askush nuk mban një qëndrim për këtë që ndodh këtu. Janë me qindra shtëpi që rrezikojnë shembjen në të gjithë zonën, por të gjithë heshtin”, tregon Myzafer Grembi. Të ndodhur në të njëjtën gjendje si në korrik, familjarët e prekur nga këto lëkundje kërkojnë reagimin e organeve kompetente për këtë gjendje. Edhe specialistët e vjetër të naftës kanë vijuar të pohojnë teorinë e tyre, se injektimi i ujit në puset e naftës shkakton këto shpërthime, të rrezikshme për banorët. “Vazhdojnë të injektojnë ujë për të nxjerrë më shumë naftë, por nuk e kuptojnë rrezikshmërinë që shkakton një veprim i tillë. Mendoj se nuk e marrin në konsideratë faktin që kjo është një zonë e banuar dhe të tilla eksperimente janë tepër të dëmshme. Në ambient në momentin e shpërthimit lëshohen sasi të mëdha gazi, ndërsa shtresat e nëntokës pësojnë çarje të mëdha. Me kalimin e kohës në këtë zonë mund të shkaktohen gropa të thella, që vijnë pikërisht si pasojë e dëmtimit të nëntokës, që në këtë zonë është e pasur me naftë”, shpjegon Baftjar Çepele.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›