Bogdani e Hyka e kanë harruar fushën e lojës
Erjon Bogdani dhe Jahmir Hyka, të dy futbollistë të kombëtares shqiptare të futbollit, po kalojnë një periudhë jo të mirë në kampionatet përkatëse. Sulmuesi shtatlartë, i cili militon në Serinë A me skuadrën e Kievos, vazhdon të mungojë në fushën e lojës, për shkak të një dëmtimi. Në fillimin e sezonit, edhe pse ishte në formë optimale, ai mungonte në 11-she për shkak se trajneri i atëhershëm i Kievos, Iakinim, nuk e pëlqente shumë stilin e tij të lojës. Me ardhjen e Di Karlos, i cili premtoi se sulmuesi shqiptar do të jetë zgjedhje e parë e repartit ofensiv, ai pësoi një dëmtim, i cili ende nuk e ka lejuar të jetë në 100 për qind të formës së tij. Ndërsa talenti i futbollist shqiptar, Jahmir Hyka, i cili prej fillimit të këtij sezoni luan te Mainc në Bundesliga 2, vazhdon të mos jetë preferencë e trajnerit Jërg Andersen. Ky i fundit nuk e ka aktivizuar as në Oberhauzen-Mainc (2-1) dhe duket se në janar do ta japë në formë huazimi në një tjetër skuadër.