Dosjet, Rama: Berisha po shkatërron gjyqësorin
Kryetari i opozitës ftoi mazhorancën për t’u ulur në negociata për gjetjen e një konsensusi
TIRANË- Në ditën kur mazhoranca kishte paralajmëruar se do të votonte me kartonët e saj draftin për pastërtinë e figurës, kryetari i opozitës, Edi Rama, përmes një konference për shtyp, i ka bërë apel Kryeministrit Sali Berisha që projektligji të mos votohet me ngut, por të gjendet konsensusi mes të gjitha palëve. “Apeli im për Sali Berishën është i qartë: I kemi të gjitha mundësitë të bëjmë një ligj evropian për këtë çështje, e cila në thelb nuk është e asnjë partie më vete, po e të gjithë shoqërisë shqiptare si një e tërë. Mos votoni sot me ngut atë që keni gatuar pa asnjë debat dhe asnjë mirëkuptim, as me opozitën, as me shoqërinë civile, as me kategoritë drejtpërdrejt të interesuara dhe as me partnerët ndërkombëtarë. Kthehuni në tryezën e diskutimit për të gjetur mirëkuptimin e të gjithëve, sepse të gjithë e dëshirojnë miratimin më në fund të një ligji evropian për çështje e dosjeve të diktaturës komuniste”,- tha ai. Rama shtoi se PS-ja është e gatshme qëtë japë konsensus mbi cilindo model të suksesshëm të vendeve të ish-Lindjes komuniste ku duhet të bazohet ky ligj. Shefi i opozitës ka theksuar se Kryeministri Berisha gënjenpër arritjet e tij njësoj si një propagandist i rëndomtë komunist. “Akuzon kundërshtarët e tij njësoj si një persekutor i zakonshëm komunist. Shpif ndaj atyre që nuk i pëlqejnë njësoj si një karrierist i zellshëm komunist. Fyen të tjerët njësoj si një fodull i prapambetur komunist. Dhe, më keq akoma, vepron kundër ligjit, kundër institucioneve dhe kundër kujtdo që i kundërvihet, njësoj si një bajraktar i pandreqshëm komunist. Sali Berisha thotë se projektligji i dosjeve është një arritje në rrugën e dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare. Gënjen!”,- tha Rama. Kryetari i opozitës ka deklaruar dje se Kryeministri po kërkon të shkatërrojë pushtetin gjyqësor për të shpëtuar in extremis oborrtarët e tij nga hetimi e gjykimi i pavarur i dosjeve të mëdha të korrupsionit qeveritar. “Sali Berisha akuzon se opozita nuk dashka të bëjë transparencën e së kaluarës dhe pengon hapjen e dosjeve të diktaturës komuniste. Përsëri gënjen! Jemi ne, socialistët, përmes grupit tonë parlamentar, që kemi depozituar më shumë se dy vjet më parë në Kuvendin e Shqipërisë, një projektligj për hapjen e dosjeve. Është Sali Berisha, Jozefina Topalli dhe shpura e tyre që e ka kyçur atë në sirtar, vetëm e vetëm për ta përdorur fabulën e spiunëve të diktaturës në funksion të interesave politike të ditës”,- tha ai.