Kuvend, Kodi gati brenda 6 javësh
TIRANË- Ndryshimi i Kodit të ri Zgjedhor sipas vërejtjes së bërë nga Presidenti i Republikës në dekretin e tij, do të kalojë për votim në seancë plenare menjëherë sapo të miratohet nga komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore. Një detyrim i tillë është përcaktuar në projektvendimin e Konferencës së Kryetarëve, e cila ishte përfshirë dje në kalendarin e punimeve të seancës plenare. Sipas këtij përcaktimi, parashikohet se në momentin që komisioni i reformës do të miratojë ndryshimin e nevojshëm, nuk do të jetë e nevojshme që të mblidhet përsëri Konferenca e Kryetarëve për të vendosur për përfshirjen e tij për votim në seancën plenare të radhës. Ndërkohë që sipas projektvendimit komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore ringrihet sipas të gjitha kushteve të përcaktuara në vendimin e mëparshëm të Kuvendit të datës 30 qershor 2008. Në të përcaktohet se komisioni ka për detyrë shqyrtimin e dekretit të presidentit të republikës të datës 2 dhjetor, sipas të cilit Kuvendi duhet të rishqyrtojë afatet kushtetuese të përcaktimit të datës së zgjedhjeve. Gjithashtu përbërja e komisionit, anëtarët e tij, vlefshmëria e mbledhjeve, vendimmarrja dhe grupet e ekspertëve teknikë mbeten si më parë.
Afati
Ndërkohë në këtë vendim nuk është përcaktuar afati kohorë i funksionimit të këtij komisioni. Kjo ka sjellë dhe një përplasje mes pozitës dhe opozitës, pasi këta të fundit kanë argumentuar gjatë gjithë kësaj kohe se afati duhet të jetë minimal, pasi bëhet fjalë vetëm për një ndryshim teknikë. Por sipas burimeve nga Kuvendi, sqarohet se mungesa e një përcaktimi të tillë në afatin e mandatit të këtij komisioni lidhet me faktin se një gjë e tillë nuk është e nevojshme. Kështu, të njëjtat burime shpjegojnë se nuk është e nevojshme që të ketë një afat, pasi kufiri caktohet nga rregullorja që thotë se brenda 8 javëve nga paraqitja e dekretit, Kuvendi duhet ta shqyrtojë atë. Në këtë kuptim ato shpjegojnë se dy afate për të njëjtën gjë s’ka kuptim. Duke iu referuar këtij afati që përcakton rregullorja e Kuvendit, komisioni i posaçëm i reformës zgjedhore nuk mund të ketë më shumë se 6 javë kohë, kjo pasi dy javë tashmë janë konsumuar po të llogarisim se dekreti i presidentit u shpall më datën 2 dhjetor.
Detyrat
Komisioni do të ketë si detyrë riparimin e Kodit Zgjedhor në pikën që përcakton afatin limit kohorë që duhet të ketë në dispozicion kreu i shtetit për të përcaktuar datën e zgjedhjeve që pritet të mbahen në javën e fundit të qershorit të ardhshëm. Ky ndryshim do të bëhet nëpërmjet një dispozite kalimtare, nëpërmjet së cilës do të kufizohet ky afat në një kohë më të përshtatshme. Ekspertët që kanë punuar për hartimin e kodit, kanë konfirmuar ditët e fundit se rikthimi i kodit nga presidenti dhe koha e humbur gjatë këtyre javëve me diskutimet për procedurat që duheshin të ndiqeshin për të riparuar kodin, do të sjellin si rrjedhojë dhe ndryshimin edhe disa dispozitave të tjera kalimtare për një sërë procesesh të tjera që lidhen me zgjedhjet e ardhshme, siç është koha e ngritjes së KQZ-së, komisioneve zgjedhore në nivelet më të ulëta, apo edhe publikimi i listës paraprake të zgjedhësve.