E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arsyet që çuan Topin në kthimin e Kodit

Në datën 2 Dhjetor të këtij muaji, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ktheu për shqyrtim në Kuvend

TIRANË- Në datën 2 Dhjetor të këtij muaji, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ktheu për shqyrtim në Kuvend, ligjin për Kodin Zgjedhor. Pikërisht në këtë ditë, Kreu i shtetit, Topi shpalli dekretin presidencial për të rikthyer edhe një herë në Kuvend këtë ligj, me argumentin se ai krijon mospërputhje kohore me Kushtetutën për kryerjen e aktit të përcaktimit të datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Dekretin dhe arsyet që e çuan atë në këtë vendim, kreu i shtetit i bëri të njohura Kuvendit të Shqipërisë nëpërmjet një letre, e cila u publikua edhe në faqen zyrtare të Presidencës. Në letrën e tij, numri një i shtetit fillimisht shkruante për nevojën e respektimit të afateve kushtetuese, për të realizuar zgjedhje konform standardeve të kërkuara edhe nga partnerët ndërkombëtarë. Arsyeja lidhet me pikën dy të nenit 8 të këtij ligji, ku përcaktohet se kreu i shtetit është i detyruar që të shpallë datën e zgjedhjeve parlamentare jo më vonë se 9 muaj nga mbarimi i mandatit të Kuvendit ekzistues. Duke përllogaritur se mandati i Kuvendit aktual mbaron pikërisht më 3 shtator të vitit të ardhshëm, atëherë data e zgjedhjeve duhet të ishte shpallur, para se Topi të dekretonte ligjin. Për këtë arsye, duke përllogaritur dhe kohën dyjavore që ligji duhet të hyjë në fuqi pas dekretit, Presidenti ka vendosur të shmangë një shkelje të këtij afati, që është i sanksionuar edhe në Kushtetutë. “Duke qenë që neni 65, pika 2 e Kushtetutës përcakton se “zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit”, atëherë periudha zgjedhore, brenda së cilës duhen zhvilluar zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme për Kuvendin, është periudha 15 mars deri më 30 qershor. Neni 9, pika 2 e ligjit të ardhur për shpallje, ka përcaktuar detyrimin e Presidentit të Republikës për nxjerrjen e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin, jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit, pra, një afat, i cili nuk mund të respektohet për periudhën zgjedhore 15 mars - 30 qershor”, - shkruante kreu i shtetit në letrën e vet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›