Bogdani e Kievo sigurojnë qëndrimin në Serinë A
Erjon Bogdani dhe Kievo e tij më në fund kanë mundur të sigurojnë qëndrimin në Serinë A për sezonin e ardhshëm, duke realizuar kështu një nga objektivat e skuadrës veroneze në këtë edicion. Gjithçka është arritur pas kombinimeve të rezultateve të rivalëve në luftën për të mos rënë nga kategoria dhe barazimit 0-0 në stadiumin "Bentegoti" ndaj një kundërshtari direkt si Bolonja. Ndeshja e djeshme mes tyre ka dhuruar pak emocione. Kievo ka pasur një epërsi të lehtë ndaj bolonjezëve, të cilët duket se janë kujdesur më shumë të merrnin një barazim. Rastin më të mirë për të zhbllokuar këtë ndeshje e ka pasur pikërisht shqiptari Erjon Bogdani, gjuajtja e të cilit me kokë do të përfundonte shumë pranë trekëndëshit të portës kundërshtare. Në minutën e 63-të ai është zëvendësuar nga trajneri Di Karlo. Tani Kievo ndodhet në kuotën e 38 pikëve, 4 më shumë se ndjekësit më të afërt që pozicionohen në zonën e ftohtë të tabelës së klasifikimit.