E Diel, 1 Nëntor 2026

Vllanzia pret "furtunën", ndërsa Tirana rikonfirmimin

Edicioni i 70 i kampionatit shqiptar të futbollit ka edhe dy vendime për të dhënë para se të mbyllë siparin. Do të jetë pikërisht kjo fundjavë, ajo që do të përcaktojë se cilat do të jenë skuadrat që do dalin të fituara nga ndeshjet "play-out" (Bylis-Gramozi më 29 maj Partizani-Kastrioti më 30 maj në Niko Dovana) dhe që më pas do t‘i bashkëngjitet grupit të 10 të tjerave për formimin e Kategorisë Superiore për edicionin e 71-të 2009-2010. Ndaj shqiptarët do të duhet të përjetojnë edhe emocionet e 90 minutave të fundit të futbollit të luajtur. Ndërkohë që skuadrat e tjera tashmë do të duhet t‘i kthejnë sytë nga ndërtimi i grupit që do të marrë përsipër realizimin e objektivave në sezonin e ardhshëm. Dy rivalët më të fortë të sezonit të fundit Tirana e Vllaznia po kalojnë dy momente të kundërta në radhët e tyre. Bardheblutë, pas fitimit të titullit kampion dhe festës së madhe, tashmë janë në pritje të rikonfirmimit në skuadrën e së ardhmes. Ndërsa në radhët e kuqebluve shkodranë mbizotëron zhgënjimi, pasi e kanë humbur në mënyrën më të keqe të mundshme shansin për të qenë ata kampionët e vendit. Por nga momenti në moment pritet mbledhja e drejtuesve të klubit, të cilët do të përcaktojnë edhe ndëshkimet e paralajmëruara ditë më parë, por që u shtynë për shkak të ndeshjes me Tiranën. Burime të besueshme pranë klubit Vllaznia bëjnë të ditur se një gjë e tillë pritet të konkretizohet në ditët e para të javës së ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›