E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani fiton penallti, Çezena merr 3 pikët

Erjon Bogdani dhe Çezena e tij janë rikthyer më në fund te fitorja. Ka qenë një ndeshje pa shumë emocione ajo e luajtur dje në “Dino Manuzzi”, por vendësit kanë arritur të marrin maksimumin në limitin e 90 minutave, atëherë kur Bogdani fiton një penallti dhe Himenez shënon duke sigluar triumfin bardhezi. Sulmuesi i kombëtares kuqezi ka detyruar mbrojtësin e ish-skuadrës së tij që t’i shkaktojë faull në zonë dhe për gjyqtarin e takimit ka qenë një 11-metërsh i padiskutueshëm. Nga pika e bardhë do të godasë Himenez që do të shënojë golin e vetëm të takimit, atë që i dha Çezenës fitoren dhe Bogdanit kënaqësinë për të mposhtur ish-ekipin e tij, që sezonin e shkuar nuk besoi te aftësitë e tij. Pas kësaj fitoreje Çezena ngjitet në kuotën e 25 pikëve, duke lënë pas shpine Barin me 16 dhe Breshian me 24. Ndërkohë, shpëtimi ndodhet vetëm 3 pikë larg, aty ku Leçe e Parma ndajnë vendin e fundit që qëndron në Serie A.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›