E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani, heroi i Çezenës, gol vendimtar ndaj Barit

ROME-Ka shënuar vetëm 7 gola, por që kanë mjaftuar për të nxjerrë ekipin e tij nga zona e rënies. Erjon Bogdani ishte sërish heroi i Çezenës në ndeshjen e djeshme kundër Barit, skuadra që mban vendin e fundit në klasifikim. Ekipi i Fikadentit kishte nevojë për një fitore dhe në fund e ka gjetur atë me anë të golit të vetëm të shënuar nga sulmuesi i kombëtares shqiptare. I rikthyer titullar, Bogdani ka arritur të nxjerrë nga telashet ekipin e tij, në një ndeshje që pavarësisht pozitave të kundërshtarit, ka qenë tepër e vështirë. Ka qenë minuta e 48-të e takimit, kur shtatlarti kuqezi është "vjedhur" bukur në zonë dhe pas një asisti të Xhakerinit, ka befasuar portierin e Barit Zhilet me një goditje bilardoje. Topi ka prekur paksa shtyllën dhe ka përfunduar në rrjetë, për atë që mund të konsiderohet si një nga golat më të rëndësishëm të Bogdanit këtë sezon. Pas këtij momenti për Çezenën ka qenë çdo gjë më e lehtë, pasi Fikadenti e ka tërhequr ekipin në mbrojtje. Në fund, asnjë ndryshim në rezultat. Çezena merr 3 pikët dhe lë pas zonën e ftohtë, ku tashmë është "zhytyr" Sampdorias, me Breshian dhe Barin. Javën e ardhshme skuadra e Bogdanit do të luajë derbin me Bolonjën, por rezultati i djeshëm është një sinjal se kjo skuadër ka shumë shanse të shpëtojë nga rënia. Për Bogdanin, ishte goli i shtatë sezonal, por natyrisht, një nga më të rëndësishmit. Një formë të tillë sulmuesi kuqezi nuk e kishte përjetuar që në kohën kur mbante veshur fanelën e Sienës, me të cilën realizoi 11 gola në një sezon të vetëm të Serisë A.
Deklarata
Pas ndeshjes, Erjon Bogdani është shprehur tepër i lumtur për golin e realizuar, por sidomos për marrjen e 3 pikëve vendimtare nga ekipi i tij. "Ishte një fitore shumë e rëndësishme, sepse skuadra është duke luftuar që nga fillimi i edicionit për sezonin tjetër, - deklaroi Bogdani. - E dinim që do të ishte një ndeshje e vështirë, sepse Bari nuk ka më çfarë të humbasë dhe në të vërtetë, në fund të ndeshjes vuajtëm pak", shtoi ai. Bogdani e pranon se goli i tij këtë herë ka qenë tejet i rëndësishëm. "Jam shumë i lumtur që shënova, sepse ky gol ishte i një rëndësie të veçantë. Na dha 3 pikë fondamentale për objektivin tonë, - u shpreh sulmuesi shqiptar. - Me vapën që bëri sot, asgjë nuk ishte e lehtë". Në fund, një mendim për të ardhmen. "Sot Çezena është e shpëtuar, por nuk duhet të shohim klasifikimin. Duhen edhe pesë ndeshje deri në fund, por duhet të vazhdojmë të luajmë kështu për të siguruar mbijetesën. Javën e ardhshme do të luajmë në Bolonja, në një ndeshje derbi, ku synojmë të bëjmë një ndeshje të madhe dhe të dalim me pikë", deklaroi Bogdani.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›