E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, shkatërrohen 6 tonë eksploziv të nxjerra nga liqeni i Ohrit

SHKUP- Policia maqedonase njoftoi sot se pas një operacioni ‘çminimi’, u shkatërruan gjashtë tonë armë të ndryshme eksplozive të nxjerra nga Liqeni i Ohrit.

"Bëhet fjalë për mina të pashpërthyera, bomba dhe municione të ndryshme që datojnë nga luftërat ballkanike dhe dy luftërat botërore, që gjendeshin në fund të Liqenit të Ohrit dhe përbënin rrezik potencial për popullsinë",- bëri të ditur Ministria e Brendshme maqedonase në një deklaratë për shtyp.

Operacioni i çminimit nisi një muaj më parë kryesisht me mbështetjen e qeverisë amerikane, saktësojnë të njëjtat burime. Një operacion i ngjashëm i zhvilluar vitin e kaluar në Liqenin e Ohrit mundësoi nxjerrjen e 7,3 tonë eksplozivi të ndryshëm.

"Këtë herë u përdorën pajisje të sofistikuara për të detektuar materialet e rrezikshme që ndodheshin në thellësi të liqenit",- sipas deklaratës.

Thellësia maksimale e Liqenit të Ohrit, me sipërfaqe 358 kilometra katrorë, arrin në 289 metra.
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›