E Shtunë, 31 Tetor 2026

Polemikat kapin kulmin, Pepe pështyu ndaj Mesit

TIRANE-Klasikja e parë nga katër të tillat që do të luhen në harkun e 18 ditëve, nuk është arkivuar ende dhe vazhdon të prodhojë polemika. Mes dy kampeve, Realit dhe Barcelonës, duket se ekziston një betejë e vërtetë, që përfshin tifozët, klubet, por edhe mediat. E përditshmja katalanase "El Mundo Deportivo" ka zbuluar sot se portugezi Pepe ka patur një sherr me disa futbollistë të Barçës në ndeshjen e së shtunës, ndërkohë që ka shkuar deri aty sa të pështyjë disa prej tyre. E ndërkohë, Johan Krujf ka kritikuar ashpër Zhoze Murinjon për mënyrën sesi luajti ndaj Barcelonës në klasiken e 16 prillit. Në faqet e gazetës "El Periodico", holandezi ka shkruar se Murinjo është një trajner titujsh, por jo trajner futbolli. "Formacioni i përdorur prej tij ishte komplimenti më i madh për Barcelonën, - shkruan Krujf. - Dukej që Murinjo kishte frikë përderisa hodhi në fushën e lojës 7 mbrojtës. Ai ka frikë vërtetë, pasi në konferencën për shtyp pas ndeshjes foli për gjithçka, përveçse për futboll. Ai është një trajner që kërkon vetëm të fitojë dhe jo të luajë futboll, nëse këtë e quajmë spektakël për njerëzit", shton më tej ish-trajneri i Barcelonës. Krujf nuk ndalet këtu dhe këshillon Barcelonën për sfidat e radhës. "Ndeshja e Bernabeut tregon se çfarë e pret Barcelonën në finalen e Kupës së Mbretit, - shton Krujf. - Barça duhet të qëndrojë besnike ndaj filozofisë së saj, por duhet të bëjë më mirë se në ndehsjen e së shtunës".
Di Stefano
Por, një goditje e fortë për teknikun portugez ka ardhur edhe nga legjenda e Realit Alfredo di Stefano. Ai ka kritikuar stilin e lojës së skuadrës madrilene, që në pjesën më të madhe të kohës ka menduar të mbrohet. "Rezulton se Barcelona është dukshëm superiore ndaj Realit. Të ndërtosh aksione ofensive, të bazuar te kundërsulmi, nuk është forma më e përshtatshme për të surprizuar kundërshtarët", tha Di Stefano. Por, ajo e së shtunës ishte vetëm klasikja e parë. Të mërkurën, Reali dhe Barcelona do të përballen në Valencia në finalen e Kupës së Mbretit, ndërkohë që më 27 prill dhe 3 maj, në gjysmëfinalen e Champions League. Këto do të jenë edhe sfidat më të forta, duke qenë se në kampionat shumë gjëra ishin vendosur.
Pujol
Për finalen e nesërme Barcelona pritet të jetë pa kapitenin e saj Karles Pujol, që u rikthye të shtunën, por menjëherë braktisi fushën e lojës i dëmtuar. Ai luajti vetëm 58 minuta në sfidën e kampionatit, ndërsa më pas u nxorr nga fusha me barrelë. "Përfundimisht do të udhëtoj me skuadrën në Valencia, por nëse do të luaj apo jo, nuk e di", tha Pujol. Në lidhje me rikthimin, që u duk disi i parakohshëm, ai sqaroi: "Ne morëm një vendim dhe ai ishte i duhuri. U ndjeva shumë mirë të shtunën, me shumë entuziazëm dhe dëshirë. Për mua kanë qenë 3 muaj të vështirë dhe ndeshja me Realin ishte perfekte për të shënuar rikthimin. Në pjesën e parë u ndjeva jashtëzakonisht mirë, por në të dytën nisa të kisha disa probleme", shtoi mbrojtësi katalanas.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›