E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani ka “harruar” të shënojë, 593 minuta pa gol

Erjon Bogdani nuk është ai i një sezoni më parë. Sulmuesi i kombëtares shqiptare deri më tani ka dështuar që të përsërisë sezonin fantastik 2005-06 të cilin e mbylli me 11 gola në konton e tij duke qenë golashënuesi më i mirë i skuadrës së tij. Sezoni i ri ka sjell një sulmues që nuk arrin që të gjejë golin me lehtësi, madje nuk po e gjen fare. Vlerësimi me notë të dobët për sulmuesin shqiptar për ndeshjen e fundit ndaj Empolit, nuk është kritika e parë ndaj shqiptarit, pasi edhe sa ishte akoma te Siena shqiptari kishte ditur që të bëjë edhe paraqitje të dobëta, madje duke humbur edhe statusin e titullarit të padiskutueshëm, cka ishte edhe arsyeja e largimit të tij nga skuadra.
Por ajo që është më e rëndë se fakti që sulmuesi shqiptar nuk ka arritur që të gjejë golin në dy ndeshjet e para të këtij sezoni me skuadrën e tij të re, është se statistikat e sulmuesit të kombëtares shqiptare në këtë sezon nuk flasin për Bogdanin e një viti më parë. Vetëm dy gola të shënuar në 21 javë të kampionatit italian janë shumë pak për një sulmues që ishte konsideruar si protagonist një sezon më parë. Dy golat e fundit që mbajnë firmën e shqiptarit janë shënuar në javën e e dhjetë të kampionatit italian, kur Bogdani aktivizohej me Sienën dhe i ka shënuar në portën e Parmës në ndeshjen e zhvilluar më 7 nëntor të vitit të kaluar. Një "agjërim" prej tre muajsh, apo thënë me shifra të tjera, plot 593 minuta pa shënuar gol për sulmuesin kryesor të kombëtares shqiptare është shumë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›