E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani në hall me deklaratat

Nga Antena brenda familjes

Gerti Bogdani dje më në fund vendosi të qante hallin me Flamurin. Megjithëse nuk e durojnë dot shumë njëri-tjetrin, prapë s’kishte kujt t’i hapej. Shkoi një orë para se të jepte deklaratën për shtyp dhe e gjeti Flamurin në zyrë duke luajtur me celular.

- Po ç’bën me celular? - i tha. - Luj me kompjuter të paktën.

- Nuk punon, - tha Flamuri, - se kush ia ka heq lojërat. Ka vetëm vend ku shkruhet.

- Ëhë, paske të drejtë, - i tha Bogdani. - Si do t’ia bëj hallit unë me këto deklaratat?

- Pse, ç’të ka ndodhur? - i tha Flamuri.

- Po ja, ai burri e ka kuptuar që unë e kam siklet këtë punën e medias, që përmend familjarët e drejtuesve të TV dhe ai burri më vë çdo ditë të bëj deklarata të tilla. S’ka ngel njeri pa më sharë, kur iki rrugës. Dhe ata të familjes së gruas më shajnë.

- Aha, po e ka marrë vesh që ke siklet nga ato deklarata, ndaj i ke çdo ditë, - i tha Flamuri. - Më mirë kur s’e çan kokën dhe i thua: “Doktor, do bëjmë ndonjë deklaratë kundër gruas së drejtorit të TV filan?” p.sh. Po i the kështu, ai dyshon se mos ke ndonjë interes dhe ia hedh, nuk e bën. Po bëre sikur u trembe, e hëngre, se aty e ka mendjen.

- Qenka punë dreqi, - tha Bogdani. - Po vetëm këtë punën e familjarëve të paktën të ma heqë, se më vë në siklet me gruan. “Sa herë del ti në TV, - thotë, - shkoj nga babi dhe fik televizorët, bëj sikur kam ndonjë muhabet që mos të të shikojnë.”

- Hall të madh paske, s’di ç’të të them, mënyra më e mirë është të bësh sikur s’e ke problem, se po e ke problem, ai do ta nxijë jetën.

- S’di ç’të bëj. Se më ka premtuar që do bëhem dhe kryetari i Forumit Rinor dhe kam hall se po e refuzova, do më anulojë.

- S’ke ç’i bën mixhë, kjo është periudhë prove dhe për ty, dhe për Aldon. Kështu e ka stilin ai burri. Para se t’u gradojë, duhet të jepni prova. Prova më e mirë që duhet të jepni është të bëheni pak qesharakë, që të mos u hipë tangërllëku pastaj kur të merrni postet. Ndaj ua bën. E shikon Aldon e shkretë ç’i punon? E vë të flasë kundër Departamentit të Shtetit, kundër ambasadorit anglez, kundër OSBE, kundër Këshillit të Evropës. Që kur të bëhet kryetar i Tiranës, ta kenë të gjithë hasëm këta, dhe të ketë shpresë vetëm tek ai burri. Dhe me ty kështu do bëjë, mos u mërzit.

- Qenka punë dreqi, - tha Bogdani. - Torturova dhe nusen, se pret çdo edicion lajmesh me pult në dorë, që i ndërron vjehrrit kanalin se mos dal unë gjëkundi. Se vjehrri im s’duron dot fare të shash PS. Pale xhaxhai i gruas që s’e duron dot fare doktorin. Se e paska ndjekur ta arrestojë një herë ky para ’97 si oficer Sigurimi. Po iku në Vjenë ai, s’e kapi dot. Akoma s’ia ka harruar.

- Lëri këto muhabete mixhë tani, po lexo ç’të ka dhënë ai. ǒdo thuash sot? Do flasësh gjë për këtë raportin e drogave që kanë dhënë këta amerikanët?

- Jo, jo, më ka dhënë prapë një fjali kundër këtyre pronarëve të televizioneve. S’më ka thënë gjë për këtë raportin.

- S’na u ndanë këta amerikanët me këto raportet mor burrë. Sikur s’kanë punë tjetër, merren vetëm me ne. S’kam parë racë të tillë. Raport për gjykatat, raport për prokurorinë, raport për mediet, raport për dosjet, raport për Fazlliçin, raport për Jalën, raport për Gërdecin, raport për Lazaratin. Sikur jemi ne qendër e botës….

- S’ke ç’i bën Flamur. Ishallah s’më vë të lexoj ndonjë ditë ndonjë deklaratë për familjarët e këtyre amerikanëve që bëjnë raporte, thuaj, se do bëhem si Ali Komiku.

- Jo, jo, për atë kemi ngarkuar Lul Bashën, - tha Flamuri. - I ka bërë letër Hillari Klintonit dhe i ankohet për ambasadorin amerikan, si dhe një letër Foreign Office-it, që i ankohet për ambasadorin anglez.

- Po ata i kanë kthyer përgjigje? - tha Bogdani i trembur.

- Kanë kthyer anglezët, - i tha Flamuri. - Kanë thënë se për ta edukuar e kemi dërguar në Shqipëri, nuk e transferojmë dot në Londër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›