Meta: Do të hedh në gjyq për shpifje Erion Veliajn
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka deklaruar se do e hedhë në gjyq për shpifje kryetarin e Lëvizjes G99, Erion Veliaj. “Për të gjitha ato shpifje ordinere përgjigjen do ta marrë në prokurori dhe në gjykatë, në mënyrë që të edukohet me shtetin ligjor, që duhen ta respektojnë të gjithë”, - tha Meta. Deklaratën Meta e bëri gjatë shpalljes së manifestimit me rastin e njëvjetorit të tragjedisë së Gërdecit.
“Me rastin e 1-vjetorit të Tragjedisë së Gërdecit, në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim, si forca kryesore opozitare në vend prej një viti, si forca e parë, e cila e vuri gishtin mbi Sali Berishën si kryeshkaktarin e kësaj tragjedie, si forca që kërkoi një hetim parlamentar për tragjedinë e Gërdecit, që nuk u realizua kurrë, për shkak të bashkëpunimit për ta mbuluar tragjedinë dhe shkaktarët e vërtetë të saj, unë iu bëj thirrje jo vetëm anëtarëve dhe simpatizantëve të LSI, por të gjithë opozitarëve, që më 15 mars të gjithë të bashkohemi nën moton: “Berisha Ik!”, pasdite në hapësirën mes sheshit “Nënë Tereza” dhe Kryeministrisë, për të nisur fushatën e largimit të Sali Berishës nga drejtimi i qeverisë së vendit”, - tha Meta.
Veliaj: Gjyqin me Metën do e bëj te sarajet e tij
Drejtuesi i G99, Erion Veliaj, tha se ai është mësuar me gjyqet që kanë ngritur ndaj tij kryeministria dhe ish-kryeministra. Veliaj më pas hodhi të tjera akuza ndaj kryetarit të LSI, Ilir Meta. “Unë nuk kam asnjë lloj problemi, sepse jam mësuar me këto lloj gjyqesh, por problemi në thelb është kur do fillojnë këta njerëz të merren me çështjet konkrete dhe jo me çdo njeri që ngre një çështje që nuk iu pëlqen atyre. Kësaj here jam në gjyq me zotin Meta për të provuar se ai nuk ka kaparuar pronat në çdo vend të Shqipërisë, për të ngritur vilat e tij që do t’i kishte zili çdo ish-kryeministër. Ju ftoj ta bëjmë këtë gjyq në kodrën e Farkës, atje ku ata akuzojnë çdokënd për çdo ndërtim tjetër. I ftoj ta bëjmë këtë gjyq në gjirin e Lalzit, i ftoj ta bëjmë në një takim në Vlorë, apo në Sarandë, apo në të gjitha sarajet e tyre, por një gjë është e sigurt: gjyqi i vërtetë do të ndodhë në datën 28 qershor, kur shqiptarët duhet të kuptojnë njëherë e mirë se duhet të ndahemi nga Shqipëria e kryeministrave dhe ish-kryeministrave. Sot përballen dy qytetërime: ai i zotit Meta dhe zotit Berisha dhe qytetërimi i shqiptarëve të ndershëm që janë lodhur e rraskapitur 18 vjet me këta njerëz që s’kanë menduar asnjëherë për interesat e qytetarëve, por vetëm për interesat e tyre. Jam i hapur për çdolloj gjykimi”, - tha Veliaj.