E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mazhoranca: Raporti i DASH është kopjuar nga Këshilli i Evropës dhe i përket vitit 2007

Nga Armand Maho

Mazhoranca i është përgjigjur në mënyrë më skandaloze të mundshme raportit të Departamentit të Shtetit për liritë dhe të drejtat e njeriut.

Zëdhënësi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, tha në mes të Kuvendit se raporti i Departamentit të Shtetit në fakt është një ekstrakt i marrë nga raporti i Këshillit të Evropës, dhe për më keq, nuk pasqyron çfarë ka ndodhur në vitin që lamë pas, por ngjarjet e vitit 2007.

Bumçi, siç duket, nuk ka lexuar që në raport ishin përfshirë ngjarje që janë zhvilluar edhe në fund të vitit që shkoi, si përplasja e qeverisë me gazetën “TemA” apo çështje si Gërdeci, Fazlliçi dhe ligji i lustracionit që u miratua po ashtu në fund të vitit.

Në lidhje me raportin kanë reaguar dhe politikanë të ndryshëm në vend.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se konstatimet e bëra nga Departamenti i Shtetit janë në të njëjtën linjë me qëndrimet e PS. “Qeveria ka ushtruar presion indirekt mbi medien. Zyrtarë të lartë kanë ndërmarrë sulme serioze verbale ndaj medias, duke i akuzuar ato për lidhje me krimin dhe mafien”, - shkruan Departamenti i Shtetit duke nënvizuar edhe politizimin pro-qeveritar të KKRRT e të TVSH apo sjelljet abuzive me “Top Channel”, “News24”, “Vizion+” dhe gazetën “TemA”. Gjatë gjithë vitit që përfshihet në këtë raport ne jemi përpjekur shumë seriozisht në mbrojtje të lirisë së medias e të informacionit dhe nuk kemi asnjë dyshim se në raportin e vitit të ardhshëm të Departamentit të Shtetit nuk do të flitet më as për KKRRT e TVSH të politizuar, as për presione të qeverisë sonë mbi mediet dhe as për sulme verbale si ato që, për faqen e zezë të të gjithëve, kryeministri Berisha ka bërë mbi njerëzit e shtypit. Qeveria e re do ta mbyllë këtë kapitull të shëmtuar”, - tha Rama. “Korrupsioni mbetet një pengesë e madhe për ndërmarrjen e reformave dhe një problem serioz”, - shkruan Departamenti i Shtetit duke prekur korrupsionin në polici, në arsim, ku ne do të bëjmë me qeverinë tonë të re reforma rrënjësore që do të luftojnë korrupsionin dhe rrisin ndjeshëm cilësinë e shërbimit policor apo të krejt sistemit arsimor. “Kthimi i pronës së konfiskuar gjatë regjimit komunist vazhdon të mbetet një problem serioz”, - shkruan Departamenti i Shtetit që nënvizon se qeveria nuk ka dhënë asnjë fond për ish-pronarët gjatë vitit të shkuar, ndërkohë që nuk lë pa përmendur marifetçiun Fazlliç si të dyshuar për pastrim parash dhe shton se kërcënimi i Ministrisë së Brendshme për të hedhur në gjyq prokurorët e çështjes Fazlliç konsiderohet si një përpjekje e qartë dhe e drejtpërdrejtë për të trembur Prokurorinë e Përgjithshme, me synim mbylljen e çështjes së këtij personi të akuzuar për lidhje me zyrtarët e lartë. Që Sali Berisha do të sillej me ish-pronarët si një komunist që tjetër thotë e thotë e tjetër bën dhe me pronat si një bajraktar në bajrakun e tij që ua ndan trojet kujt të dojë e si të dojë, këtë nuk e dyshonim që ditën e parë. Por që pas katër vjetësh pas 3 korrikut 2005 ish-pronarët do të merrnin më pak nga ç’morën nga qeveritë e mëparshme dhe që prona më e madhe në vend do të bëhej oborri i kryeministrit, këtë s’ka guxuar kush ta imagjinojë katër vjet më parë. Qeveria e re do të jetë e qytetarëve, jo e oborrtarëve dhe ne do të bëjmë më në fund inventarizimin e plotë të pronës duke i dhënë fund batërdisë 18-vjeçare të abuzimit me pronën përmes kanaleve të korrupsionit qeveritar”, - vijoi kryetari i PS.

Rama u shpreh i gatshëm për të diskutuar në lidhje me një ligj të ri të lustracioni brenda standardeve të BE.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›