E Shtunë, 31 Tetor 2026

Clinton: Do të vazhdojmë mbështetjen për Kosovën

Nga Express

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, ka rikonfirmuar mbështetjen e SHBA për Kosovën dhe ka premtuar se Uashingtoni do të angazhohet edhe më tutje për siguruar njohje të reja për shtetin e ri. Sekretarja e re amerikane përgëzoi Kosovën në njëvjetorin e pavarësisë së saj. Në një konferencë për shtyp në Departamentin e Shtetit, ajo e quajti Kosovën “demokracinë më të re në botë”. Sekretarja Clinton i dha këto deklarata pas takimit që pati me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. Ajo ka thënë se gjatë takimit kanë diskutuar për sfidat ekonomike dhe politike që e presin Kosovën. “Unë iu kam thënë se SHBA do të punojnë me partnerët e tyre të BE dhe do të vazhdojë me mbështetjen për demokracinë më të re në botë”, - deklaroi Clinton. Ndërsa presidenti Sejdiu në emër të popullit të Kosovës ka shprehur falënderimin për mbështetjen “e fuqishme e të gjithmonshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë për Kosovën”. “Pa rolin e SHBA dhe të aleatëve të përbashkët Kosova nuk do të ishte në këtë pikë të zhvillimeve të saj politike. Ne shprehëm në pika të shkurtra zhvillimet e përgjithshme që ka Kosova. Është një vit i pavarësisë së saj, i gëzimit të qytetarëve të saj, i gëzimit të fëmijëve të Kosovës. Është një vit i dëshmimit të saj, që është shtet demokratik, i të gjithë qytetarëve pa dallim etnie. Është një vit që ka shprehur në mënyrën më të mirë të mundshme qasjet e saj për të qenë fqinj i mirë me të gjithë fqinjët përreth”, - theksoi Sejdiu. Presidenti i Kosovës ka thënë se nga sekretarja Clinton ka marrë konfirmimin se do të ketë mbështetje për njohje të reja të pavarësisë së Kosovës. “Morëm një konfirmim të fuqishëm për mbështetjen e Shteteve të bashkuara të Amerikës në nxitjen edhe të miqve të tjerë për njohjen e Republikës së Kosovës. Një mbështetje për zhvillim të shpejtuar ekonomik”, - tha Sejdiu. Edhe kryeministri Thaçi ka shprehur mirënjohjen për SHBA për ndihmën që i ka dhënë Kosovës. “Kosova është atdhe i gjithë qytetarëve të saj me të drejta të afirmuara për minoritarët. Në të ardhmen shumë të afërt presim që Kosova të jetë edhe anëtare e FMN dhe Bankës Botërore”, - tha Thaçi. Ndërsa Sejdiu e Thaçi pas sekretares Clinton zhvilluan një takim edhe me nënpresidentin amerikan, Joe Biden. Vizitën në Shtetet e Bashkuara zyrtarët kosovarë po e shfrytëzojnë edhe për aktivitete të tjera diplomatike. Të mërkurën ata kanë pasur takime me ambasadorë nga dhjetëra shtete të Afrikës, Azisë, Lindjes së Mesme dhe Evropës si Gaboni, Kenia, Sao Tome dhe Principe, Bahrejni, Katari, Arabia Saudite, Ruanda, Togo, Iraku, Franca, Papa Guineja e Re, Fixhi, Japonia, Malajzia, Barbadosi, Vatikani, Panama, Çekia, Britania e Madhe etj. Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi kanë kërkuar nga këta diplomatë ndërkombëtarë që shtetet e tyre të njohin sa më shpejt pavarësinë e Kosovës, kanë thënë zyrtarë të qeverisë në Prishtinë. Takimet që kanë për qëllim lobimin për njohje të reja për Kosovën do të vazhdojnë edhe ditëve të ardhshme, jo vetëm në Uashington, por edhe në Nju-Jork.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›