E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra me pretekstin e bombës në ambasadën sovjetike

Nga Uran Butka

Masakra e natës së 26 shkurtit 1951 është ngjarja më tipike e krimeve të komunizmit e njëherësh më kundërligjore dhe më e paprecedent në historinë e legjislacionit shqiptar e të huaj.

Së pari, arrestimet që u kryen më datën 20-23 shkurt 1951, mandej pushkatimet dhe burgimet, të cilat, ndonëse u bënë për shkak të hedhjes së një sasie të vogël dinamiti në ambasadën sovjetike në Tiranë, më 19 shkurt, ora 17.45, nuk kishin asnjë lidhje me këtë incident dhe asnjë lidhje me ndonjë akt tjetër terrorist. Këto ishin arrestime dhe dënime politike, përgatitur që më parë nga Sigurimi i Shtetit dhe Ministria e Brendshme dhe të urdhëruara nga Byroja Politike e KQ të PPSH .

Arrestimet u bënë mbi listat e vdekjes, të parapërgatitura nga Sigurimi i Shtetit në Ministrinë e Brendshme.

Lista e parë, e përgatitur nga sektori i parë i Drejtorisë së Sigurimit, me kryetar Pilo Shanton, mban titullin tronditës: Personat e arrestuar që propozohen për t’u ….. Mbi pikat, titullarët mund të shkruanin ç’të dëshironin: për t’u pushkatuar, për t’u burgosur etj.

Nga kjo listë e gjatë, krerët e Ministrisë së Brendshme zgjodhën dhe shënuan me kryq emrat e Tefik Shehut, Hekuran Trokës, Lluka Rashkoviçit, Haki Kodrës, Thoma Katundit, Mehmet Ali Shkupit, Gjon Temalit, Fadil Dizdarit dhe Pandeli Novës.

Lista e dytë, e përgatitur në sektorin e dytë të Sigurimit nga drejtori, kapiteni i parë Rasim Dedja, përmbante tetë propozime, nga të cilat u përzgjodhën për t’u pushkatuar, duke u shënjuar me nga një kryq përbri emrit: Ali Qoraliu, Zyhdi Herri, Gafurr Jegeni, Petro Konomi, Jonuz Kaceli dhe Sabiha Kasimati.

Lista e tretë e parapërgatitur në sektorin III të Sigurimit nga major Edip Çuçi ka titullin vrasës: Lista e elementit që propozohet për t’u dënuar me vdekje.

Kryetari i Sektorit III të Sigurimit mund t’i propozonte prokurorisë e gjykatës t’i gjykonte e dënonte sipas fajeve që duhet të provoheshin, por jo ta vendoste vetë dënimin me vdekje! Sigurimi i Shtetit ishte vendosur mbi organet e drejtësisë, të cilat kishin mbetur formale dhe zbatonin verbërisht urdhrat e vendimet e Ministrisë së Brendshme. Një shtet policor, më kriminali në gjithë vendet komuniste të Lindjes.

Nga lista e tretë, e hartuar më 22.2. 1951, u përzgjodhën për t’u pushkatuar: Pjerrin Guraziu, Qemal Kasoruho, Anton Delhysa, Niko Lezo, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia.

Emrat e Sabiha Kasimatit, Reiz Selfos, Qemal Kasoruhos dhe Manush Peshkëpisë u vendosën në listat e pushkatimit nga Enver Hoxha, i cili i njihte mirë personalisht.

Së dyti, akuza e prokurorit ushtarak, Siri Çarçani, mban datën 25.2.1951 dhe përmban akuzën: Janë vënë në shërbim të spiunazheve të huaja imperialiste; janë bërë anëtarë të një organizate terroriste. Kanë propaganduar rrëzimin me dhunë të pushtetit popullor dhe kanë hedhur parulla pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistëve amerikano-anglezë e satelitëve të tyre.

Akuza është kolektive, për të gjithë e njëjta akuzë, ndonëse të akuzuarit, siç është provuar edhe në hetuesi, nuk kanë asnjë lidhje apo bashkëpunim me njëri tjetrin; nuk janë pjesëtarë të ndonjë organizate politike apo terroriste; nuk kanë pasur asnjë aktivitet për akuza të tilla.

Edhe në gjyqet e para të vitit 1945 nuk ka pasur asnjë rast të tillë të ngjashëm, ndonëse të pandehurit i kanë përfshirë në grupe armiqësore, por për secilin janë dhënë akuza e prova të veçanta. Ndërsa në vitin 1951, kemi një akuzë të përgjithshme me tri reshta, asnjërit nuk i përmendet akuza për pjesëmarrje ose dijeni për ndonjë akt terrorist, aq më pak për bombën në ambasadën sovjetike, për shkak të së cilës u arrestuan.

Siri Çarçani dëshmon: “Unë, kur kam nënshkruar aktakuzën, nuk kam pasur dosje hetimi të dërguar nga Drejtoria e Sigurimit të Shtetit. Personat që kanë emrat në aktakuzë, unë nuk i kam njohur fare dhe si prokuror nuk kam marrë pjesë në hetimet që zhvillonte Sigurimi i Shtetit. Unë nuk i kam lexuar dhe as i kam parë procesverbalet e marrjes në pyetje të të pandehurve dhe as ndonjë material tjetër të dosjes hetimore. Pasi nënshkrova aktakuzën, më duket se ia kam dhënë Sotirit dhe se ku ka përfunduar ajo nuk e di. Për dijeninë time, Gjykata e Lartë Ushtarake nuk ka zhvilluar gjyq ndaj këtyre të pandehurve.”

Nga këto pohime të mëvonshme të Siri Çarçanit, rezulton se ai nuk e ka hartuar aktakuzën, po e ka nënshkruar atë që i është servirur nga Ministria e Brendshme. Nuk ka parë dosje hetimore, nuk ka marrë pjesë në hetime, madje nuk i ka njohur kurrë viktimat. Dhe ajo çka është thagmë, është pohimi i tij se “nuk është zhvilluar gjyq ndaj këtyre të pandehurve.”

Së treti, akuza e prokurorit ushtarak është e mbështetur në nenet 2, 3,7 dhe 8 të ligjit numër 372 datë 12.12.1946. Mirëpo, sipas këtij ligji dhe legjislacionit në fuqi, nuk janë respektuar e kryer procedurat ligjore, po janë shkelur skajshmërisht e anashkaluar ato.

Me aktakuzën e datës 25.02.1951 të prokurorit, të gjithë të akuzuarit janë dërguar për gjykim në Gjykatën e Lartë Ushtarake nën akuzën e parapërgatitur “për faje kundër popullit e shtetit.” Siç rezulton nga aktet e dosjes hetimore, asnjërit prej të pandehurve nuk i është komunikuar ndonjë akuzë; nuk është bërë ndonjë proces hetimor ndaj tyre me përjashtim të Gjon Temalit, që është pyetur nga seksioni i Sigurimit të Shtetit (edhe në këtë rast nuk i është komunikuar atij ndonjë akuzë konkrete por vetëm thuhet “mbi akuzën që i atribuohet”.) Procesverbali i hetimit nuk është firmosur as nga i akuzuari, as nga hetuesit që e kanë marrë në pyetje.

Asnjë provë nuk e ka shoqëruar këtë të ashtuquajtur hetim. Kjo gjë e bën hetimin inekzistent dhe të gjitha veprimet të kundërligjshme.

Së katërti, Gjykata Ushtarake, me kryetar nënkolonel Shuaip Panariti dhe anëtar kapiten i parë Vangjel Kocani dhe kapiten i parë Nonda Papuli, e ka filluar shqyrtimin e çështjes më 26.02.1951 (sipas vendimit të kësaj gjykate që mban datën 27.02.1951), dhe është shprehur për dënimin e të gjithë të akuzuarve me vdekje, me pushkatim, duke u bazuar po në ligjin 372, datë 12.2.1946. Ky gjykim, nëse është bërë, është tërësisht i kundërligjshëm, sepse nuk janë pyetur fare të pandehurit, nuk është hetuar gjatë gjykimit, nuk ka pasur dëshmitarë e ballafaqim, nuk janë paraqitur prova, nuk është lejuar prokurori dhe as apelimi. “Ky vendim është i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm menjëherë”, - shprehet gjykata në fund të vendimit. Në fund është firmosur nga kryetari dhe Vangjel Kocani dhe nuk është firmosur nga anëtari i Gjykatës, Nonda Papuli dhe sekretari Hidaji Bejo. Pra, procesverbali ka mbetur i pafirmosur plotësisht.

Të gjitha këto e bëjnë gjyqin, nëse është kryer, të kundërligjshëm.

Së pesti, krahas procesverbalit e vendimit që përshkruam më lart, datë 27.2.51, mbështetur mbi ligjin 372, datë 12.12.46 në dosjen gjyqësore ekziston edhe një procesverbal tjetër vendimi, po me datën 27.2.51, pa numër vendimi e pa numër protokolli, që gjykon të akuzuarit, por mbi bazën e ligjit të ri “Mbi gjykimin e organizatave terroriste”, që ishte dekretuar një ditë më parë, më datë 26.2.51, por që u miratua më 5 mars 1951 nga Këshilli i Ministrave për t’u bërë i zbatueshëm. Pra, viktimat u “gjykuan” dhe u pushkatuan në mesnatën e datës 26 shkurt, kur dekreti u miratua më datën 5 mars, ndërkohë që s’ishte botuar ende në Fletoren Zyrtare! Absurdi i këtij gjykimi, nëse është bërë, por që “dokumentohet” nga ky procesverbal i falsifikuar, qëndron në faktin tragjik, se të akuzuarit nuk ekzistonin më, ata ishin vrarë në mesnatën e datës 26.2.51 dhe ishin hedhur, të lidhur me tela me gjemba, në një gropë të përbashkët buzë lumit të Erzenit, pranë urës së Beshirit. Madje, njëri prej tyre, Jonuz Kaceli ishte vrarë më parë gjatë torturave në birucat e Sigurimit të Shtetit.

Pra, “gjykoheshin” njerëz që ishin vrarë një ditë më parë dhe nuk ekzistonin fizikisht, si në një teatër absurd dhe procesverbali u hartua të nesërmen, datë 27.2.51, pas ekzekutimit të tyre, siç është vërtetuar plotësisht më vonë.

Rasim Dedja, kryetar i sektorit të dytë të Sigurimit të Shtetit, dëshmon: “Gjatë pyetjes së të pandehurve nga ana e hetuesve të ngarkuar me këtë çështje, shumica e të cilëve ishin operativë të Sigurimit, janë mbajtur shënime dhe nuk janë mbajtur procesverbale të rregullta në pozitën e të pandehurit dhe hetuesit. ..Për pushkatimin e këtyre personave nuk është bërë gjyq dhe këtë e them, pasi nga pyetjet që bëheshin në zyrat e Ministrisë së Brendshme, ata janë çuar direkt në vendin e pushkatimit dhe nuk u është lënë kohë për gjykimin e çështjes…” ( Nga dëshmitë e Rasim Dedes, 19.11.1993)

Po ç’ishte ligji i ri mbi gjykimin e organizatave terroriste.

E para s’ishte ligj - sepse nuk u miratua në parlament (Kuvendin Popullor). Ishte një dekret - i formuluar nga Ministria e Brendshme dhe i firmosur në ditën e pushkatimit nga Presidenti i Republikës, Omer Nishani dhe sekretari, Sami Baholli.

Ky dekret u hartua menjëherë për të justifikuar vrasjet e paligjshme të 22 viktimave. Dihet se arrestimi dhe pushkatimi i tyre pa gjyq bëri bujë brenda e jashtë Shqipërisë.

Ministri i Brendshëm, M. Shehu, frymëzuesi dhe zbatuesi i këtij dekreti, deklaroi në atë kohë me mburrje: “Dekreti i Kuvendit Popullor i datës 26 shkurt është një armë shumë e fortë në duart e pushtetit tonë për të goditur pa mëshirë armiqtë e brendshëm.”

Ky dekret i zi, i paprecedent në legjislacionin shqiptar dhe të huaj, siguronte e përligjte arrestimet, vrasjet dhe burgimet masive nga ana e organeve të diktaturës pa respektuar etapat e procedurës penale, binte në kundërshtim me kushtetutën dhe me legjislacionin e asaj kohe.

Zv/ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, ia serviri këtë projekt-dekret ministrit të Drejtësisë, Manol Konomi, i cili e konsideroi “jo-oportun “.

Në mbledhjen e Plenumit të KQ të PPSH që u bë po atë ditë, M. Shehu e cilësoi Manol Konomin kapitulant dhe Plenumi e përjashtoi nga KQ si dhe e shkarkoi si ministër Drejtësie, ndonëse ai u përpoq të justifikohej. Ja ç’thotë vetë Manol Konomi në Plenum: “Në punën si ministër, unë kam pasur mjaft raste oportunizmi, por për të pushkatuar 20 veta armiq, unë nuk kam aspak frikë. Këtë gjë le ta thonë edhe shokët e partisë që punojnë në drejtësi, nëse unë druhem nga armiku. Prandaj, jo 20 veta, por edhe më shumë po të thotë partia, unë jam gati t’i pushkatoj. Unë e siguroj KQ se këtë gjë nuk e kam bërë me asnjë mënyrë se kam pasur frikë, se më ka zënë paniku, po ndjenja e inferioritetit më ka shtyrë të bëj këtë kërkesë (për dorëheqje, shën. Red)…Sidoqoftë, kudo që të më vërë partia, unë do ta kryej detyrën…”

Nga pikëpamja juridike, shqyrtimi dhe dhënia e dënimit nga Gjykata Ushtarake mbi bazën e dekretit të zi nr. 1223, dt 26.2.1951, ka qenë i kundërligjshëm, kjo edhe për arsye se të gjitha veprimet hetimore janë kryer jo në bazë të ligjit apo dekretit të ri, pasi ato janë kryer pa dalë ky dekret. Pra, veprimet hetimore e gjyqësore i kanë paraprirë ligjit.

Së gjashti, të gjitha këto veprime të paligjshme mbyllen me një vendim po të kundërligjshëm. Në vendimin gjyqësor, megjithëse viktimat akuzohen për organizim dhe pjesëmarrje në një organizatë terroriste, nuk sillet asnjë provë, asnjë dëshmi, nuk thuhet asnjë emër organizate, asnjë veprim i saj, nuk bëhet asnjë arsyetim dhe analizë. Përkundrazi, edhe nga shpjegimet e të akuzuarve (nëse janë pyetur vërtet), nuk del asnjë e dhënë që ata të jenë pjesëmarrës të ndonjë organizate, të kenë njohje dhe të kenë biseduar midis tyre.

Të marra në tërësi këto shkelje të ligjit, si edhe mungesa e plotë e një hetimi, e një gjykimi, si edhe ekzistenca e një dokumentacioni të pasaktë, kundërthënës e të pafirmosur, e bëjnë “vendimin” e Gjykatës Ushtarake të kundërligjshëm, duke e vënë atë dhe trupin gjykues përpara përgjegjësisë ligjore.

Së fundi, akuza dhe dënimi i 22 martirëve ishin politike. Vetë mbledhja e Byrosë Politike dhe e Komitetit Qendror të PPSH më datën 20 shkurt 1951 dhe vendimet që mori partia për masa të menjëhershme represive, ishin politike dhe në kundërshtim të plotë me ligjet në fuqi dhe me kartën e OKB të firmosur nga Shqipëria. Mjafton të përmendim fjalët e M. Shehut në Byronë Politike: “Të arrestojmë rreth 100 apo 150 veta, nga të cilët 10 ose 15 prej tyre t’i pushkatojmë, duke zgjedhur sigurisht ata më kryesorët…Kjo masë do të procedohet me një masë tjetër spastrimi nga Tirana të familjeve reaksionare brenda një muaji…Ne i kemi përgatitur listat e arrestimeve dhe, po të jeni edhe ju dakord, veprojmë që sonte”

Të gjithë anëtarët e Byrosë: “Jemi dakord me këto masa!” (Nga procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike, 20 shkurt 1951). Menjëherë nisën arrestimet, që në datën 20 shkurt 1951 dhe në ditët në vazhdim të muajit shkurt, por edhe në muajt e tjerë të vitit 1951. Arrestimet masive bëheshin natën, jo vetëm në Tiranë, por edhe në të gjitha krahinat e tjera për të goditur e asgjësuar “reaksionin” dhe për të terrorizuar gjithë popullin.

Ligjet që ekzistonin dhe organet e drejtësisë mbeteshin krejt formalë. Çdo gjë urdhërohej nga kupola partiake, organet e drejtësisë e përligjnin këtë përdhosje të ligjit, madje angazhoheshin dhe e dhunonin edhe vetë, sipas urdhrave që merrnin nga lart. Nuk kishte asnjë shenjë të shtetit ligjor, nuk kishte asnjë fije drejtësi, madje as procese gjyqësore të mirëfillta. Gjithçka ishte e inskenuar, e montuar, e manipuluar. Makina e partisë-shtet punonte me gjakun e viktimave të pafajshme.

Ishte një terror paralel dhe i dyfishtë: njëri brenda partisë, ideologjik e psikologjik, për të terrorizuar e gjunjëzuar elementët e partisë që mund të mendonin ndryshe dhe tjetri terror vrastar, fizik e shpirtëror, në sy të popullit dhe brenda popullit, për ta terrorizuar e gjunjëzuar përfundimisht atë dhe për të imponuar regjimin komunist që nuk honepsej në Shqipëri.

Më datën 26 shkurt u dhanë konkluzionet e E. Hoxhës dhe u morën vendimet për konsolidimin e vijës staliniste të partisë dhe të qeverisjes dhe po më datën 26 shkurt u bënë kurbanet e parë të kësaj vije kriminale: 22 intelektualë shqiptarë në plumb!

Pushkatoheshin, burgoseshin e internoheshin njerëz të pafajshëm, pa gjyq e pa vendime ligjore, vetëm me urdhra arbitrare nga lart dhe veprime policore kriminale të organeve të diktaturës. Po aq kriminale ishte edhe përpjekja për të falsifikuar e tjetërsuar ngjarje, dokumente e procesverbale, për të justifikuar e mbuluar krimin. Kryetari i Gjykatës së Lartë, Shuaip Panariti, firmosi një gjykim dhe një vendim të Gjykatës Ushtarake, që s’është bërë e s’është marrë kurrë. Po ashtu edhe anëtari i Gjykatës së Ushtarake, Vangjel Kocani, i cili dëshmon:

“Pas ca ditësh të kësaj ngjarjeje apo me kalimin e një jave, unë jam thirrur nga ish-kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, Shuiap Panariti, dhe më tha se “ti e di që është hedhur një bombë në ambasadën sovjetike. Sigurimi ka arrestuar dhe një pjesë nga të arrestuarit, 22 veta janë pushkatuar pa u bërë gjyq. Prandaj duhet që të firmosim një vendim gjyqësor penal formal, pasi gjyq nuk mund të bëjmë, se Sigurimi i ka pushkatuar pa gjyq personat…” Shuaipi më tha se vendimi i gjykatës është formal, nuk ka asnjë pasojë dhe duhet ta bëjmë këtë, pasi është urdhër i udhëheqjes së shtetit e në atë kohë ishte kryeministër E.Hoxha. Shuaipi më tha: “Ti Vangjel mos u shqetëso, derisa vendimi është formal dhe neve në fakt nuk gjykojmë njeri”. Më porositi që për këtë vendim penal fiktiv, duhet të mbyllësh gojën, të mos i thuhet asnjë njeriu se është sekret i madh shtetëror. Pas kësaj, kemi shkuar me Shuaipin në zyrat e Ministrisë së Brendshme… Shuaipi më paraqiti vendimin gjyqësor të daktilografuar dhe unë e kam firmosur…”

Ky është një krim i pandëshkuar. Dënimi i krimit është një akt kulture.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›