Kiene: Drejtuesit e Bankës Botërore nuk gjetën asnjë falsitet në raportin tonë
Drejtuesi i Panelit Hetimor pranë Bankës Botërore, Werner Kiene, i është përgjigjur akuzave të kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, se ky panel është korruptuar dhe përfundimet e tij janë të mbushura me falsitete.
Kiene nuk ka preferuar të flasë direkt për këtë çështje, duke theksuar se puna e tij nuk është hetimi i qeverisë huamarrëse, por ka thënë që raporti i tij nuk ka gabime, dhe këtë e provon fakti që drejtuesit e Bankës Botërore e kanë pranuar atë dhe kanë rënë dakord me gjetjet e tij.
Kiene ka mbrojtur punën e këtij Paneli duke theksuar se puna që bëjnë është e pavarur dhe objektive.
Disa ditë më parë, Kiene kishte deklaruar në një intervistë për BBC se ishin pikërisht veprimet e dhëndrit të Berishës, Jamarbër Malltezit, që kishin implikuar Bankën në këtë skandal.
“Në projekte të këtij lloji, huamarrësi në Afrikë në Evropë apo kudo qoftë pajtohet të ndjekë rregullat e Bankës Botërore. Prandaj, raporti ynë, nëse e lexoni, vendos këtë ndërlidhje se ishte një vendim nga njësia e zbatimit të projektit dhe kreut të kësaj njësie për të transferuar këto informata te njësitë e tjera të qeverisë që implikon tani Bankën në këtë aksion të veçantë”, - tha Kiene
Qeveria jonë ka akuzuar panelin për korrupsion dhe ryshfet. Cili është komenti juaj në lidhje me këto akuza?
Paneli është një njësi faktmbledhëse. Puna jonë karakterizohet nga pavarësia, objektiviteti dhe integriteti. Nisur nga transparenca e kësaj qasje të panelit dhe nga raporti i saj, nuk e kuptoj pse paneli është akuzuar për korrupsion dhe mitmarrje.
Çfarë mendoni në lidhje me qëndrimet e kryeministrit shqiptar se konkluzionet e raportit tuaj janë të mbushura me falsitete?
Paneli nuk heton vendin huamarrës. Ne hetojmë përputhjen e punës së Bankës Botërore me politikat dhe procedurat e saj. Siç dhe u konkludua në takimin e fundit të Bordit të Drejtuesve dhe siç u theksua në deklaratën për shtyp pas takimit, Banka bie dakord me të gjitha gjetjet e Panelit. Si pasojë e kësaj, nuk është gjetur asnjë “falsitet” në raport.