Dializa, pacientët me hepatit B dhe C
Drama e pacientëve, që veshkat i kanë jashtë funksionit ka arritur në pikën kulmore. Sipas shoqatës që i përfaqëson, skandali thellohet edhe më tej. “Pothuajse të gjithë pacientët e hemodializës në vendin tonë janë të infektuar me hepatit B ose C dhe sikur mos të mjaftonte sëmundja që kanë duhet të përballen dhe me hepatitin, i cili u heq shanset e transplantimit dhe është një virus vdekjeprurës”, shprehen përfaqësuesit e shoqatës së invalidëve me veshkë artificiale dhe të transplantuar. Ata pohojnë se hepatitin e kanë marrë për shkak të një shërbimi shumë të keq dhe pa standarde që ofrohet në spital. Jo pak herë kanë ngritur zërin e kanë protestuar, por askush nuk ua ka vënë veshin. Kërkojnë vetëm të mbijetojnë dhe i bëjnë apel Ministrisë së Shëndetësisë të marrë masa urgjente. Sipas shoqatës, qindra të sëmurë marrin rrugët e Maqedonisë a Kosovës ose shpërngulen në Turqi a gjetkë për të kryer shërbimin, pasi sistemi ynë shëndetësor nuk u ofron këtë mundësi.