Bogdani, në kërkim të golit në sfidën e Palermos

Albania-Sport - Erjon Bogdani vazhdon të mbetet titullar te skuadra e Kievos, por kjo falë besimit që trajneri Luixhi Del Neri ka në aftësitë e shtatlartit shqiptar, të cilin e ka përzgjedhur në 11-shen e parë edhe për sfidën e sotme kundër Palermos. Në fakt, që nga debutimi i tij në janar me fanellën e Kievos, në fitoren 2-1 të arritur në Veronë përballë Katanias, loja e shqiptarit nuk ka arritur të ngrihet në nivelin e pritur nga ky sulmues. Megjithatë, trajneri i Kievos, Luixhi Delneri, ai që e kërkoi me ngulm shtatlartin në merkaton e janarit, ka ende besim në aftësitë e tij.
Trajneri i verdhebluve ka vendosur që për përballjen e sotme me Palermon në "Renco Barbera", të ndryshojë modulin e lojës: nga 4-3-3 në 4-4-2. Sipas Delnerit, me rikthimin e brazilianit Luciano nga dëmtimi, Kievo do të përpiqet të shfrytëzojë lojën nga krahët për të furnizuar me vazhdimësi Bogdanin, i cili në takimet e para është penalizuar edhe nga loja e shokëve, të skuadrës, të cilët kërkonin gjithmonë depërtimet qendrore. Një lëvizje që mund të ndikojë në rendimentin e sulmuesit shqiptar, i cili në stadiumin sicilian ka shënuar trigolëshin e parë dhe të vetëm në Serinë A (sezonin e kaluar Palermo-Siena 0-3).
Ja dhe lista e të besuarve të Del Nerit ndaj Palermos:
1) Sicinjano, 27) Moro, 17) D`Ana, 29) Mandeli, 23) Lana, 5) Luciano, 11) Italiano, 20) Samarko, 7) Semioli, 81) Bogdani, 31) Pelizier. (18) Skuici, 19) Malago`, 4) Mantovani, 21) Markolini, 55) Kosovski, 33) Brigi, 15) Obina).