Igli Tare, shpresa për një aktivizim në Lacio-Torino

Albania-Sport - Kapiteni i Kombëtares kuqezi, Igli Tare, mund të figurojë për skuadrën e tij italiane, Lacion, në ndeshjen e radhës në Serinë A, atë kundër Torinos, që do të luhet në Stadiumin Olimpik të Romës. Kjo është bërë e ditur të shtunën, pas seancës stërvitore të paradites, kur trajneri Delio Rosi ka bërë të ditur listën e lojtarëve që ai do të ketë në dispozicion për sfidën kundër torinezëve.
Gjithsesi, ka shumë gjasa që shtatlarti i sulmit kuqezi të mos jetë në 11-shen e parë dhe të aktivizohet si zëvendësues. Kapiteni i përfaqësueses kuqezi, i cili u detyrua të ndërrohej për shkak të një problemi muskular në humbjen në miqësoren me Maqedoninë të mërkurën, ka gjetur vend vetëm për 4 minuta në ndeshjen që skuadra e tij italiane, Lacio, ka zhvilluar në fushën e Atalantës.
Vetëm 360 sekonda janë rezervuar nga trajneri i skuadrës kryeqytetase, Delio Rosi, në barazimin pa gola që Lacio ka arritur në fushën e Atalantës, në një ndeshje që u luajt pa praninë e tifozëve. Tare ka zëvendësuar Tomaso Rokin në minutën e dytë shtesë të kohës së rregullt dhe ka luajtur për 4 minutat në vijim, deri në fishkëllimen finale të gjyqtarit.
Ndërkaq, ndonëse shënoi në miqësoren e mesjavës kundër një skuadre të rinjsh, Tare vazhdon të vuajë mungesën e golit. Këtë sezon, shtatlarti shqiptar është aktivizuar vetëm në nëntë takime (vetëm një herë nga minuta e parë) dhe nuk ka arritur ende të gjejë golin e parë, që do ta kërkojë ndaj Torinos, ndaj së cilës ka shënuar një dygolësh në sezonin 2004/2005 kur luante për Breshian (fitore e lombardëve 2-0 në "Delle Alpi" me gola të shqiptarit).
Ja dhe lista e të besuarve të Delio Rosit ndaj Torinos:
32) Ballotta, 10) Baronio, 7) Beleri, 14) Berni, 3) Boneto, 25) Kribari, 4) Firmani, 21)S. Inzagi, 77) Himenez, 24) Ledezma, 68) Manfredini, 11) Mauri, 5) Mutareli, 19) Pandev, 18) Roki, 13) Sivilja, 2) Stendardo, 17) Tare, 8) Zauri.