E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lejet e qëndrimit, paralajmërohen edhe dy afrikanë të Apolonisë

Albania-Sport - Pas dëbimit të 4 brazilianëve, policia ka paralajmëruar të premten edhe 2 lojtarë të tjerë të huaj që luajnë me këtë ekip. Sot janë thirrur në polici lojtari nga Gana, Nuru dhe nigeriani Gabriel, të cilët janë paralajmëruar se brenda së shtunës duhet të lënë Shqipërinë. Lojtarët në fjalë kanë rreth një muaj që kanë aplikuar për vizë, por policia në vend të vizës u jep paralajmërimin se do të dëbohen nga Shqipëria, duke ndërprerë kështu kontratën që ata kanë me klubin e futbollit Apolonia.
Të martën, policia dëboi 4 futbollistë brazilianë të Apolonisë së Fierit duke e lënë këtë skuadër pa titullarë, gjë që, sipas drejtuesve të klubit, e bën të vështirë ose të pamundur pjesëmarrjen e saj në ndeshjet e ardhshme të Kategorisë Superiore. Pikërisht për këtë arsye, drejtues të klubit "Apolonia" i kërkuan federatës ndërprerjen e kampionatit kombëtar të Futbollit, kërkesë që Federata do ta marrë në shqyrtim së shpejti, por që nuk ka bazë të mjaftueshme sipas statuteve të organizmit që qeveris futbollin shqiptar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›