Dueli i Doganave, Kosova mposht Shqipërinë 7-3 në Tiranë

Albania-SportDje pasdite në mjediset e minifutbollit të kompleksit të pishinave në kryeqytet u zhvillua Kupa "Vëllazërimi" që u diskutua midis skuadrës së minifutbollit të Doganave të Shqipërisë dhe asaj të Shërbimit Doganor të UNMIK-ut (Kosovës). Në këtë veprimtari, të organizuar nga Instituti Shqiptar për Zhvillimin e Sporteve (ISHZS) dhe me mbështetjen e Doganave të Shqipërisë, ishin të pranishëm edhe Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, Përparim Dervishi, si dhe drejtues të lartë të Shërbimit Doganor të UNMIK-ut.
Ndeshja, e cila u zhvillua në dy pjesë loje, me nga 30 minuta secila, ishte e mbushur me emocione, nga fillimi deri në fund, por, pavarsisht nga përpjekjet e skuadrës së Doganave shqiptare, foli në favor të miqve. Doganat shqiptare kaluan të parat në epërsi, por skuadra e UNMIK-ut u kundërpërgjigj, duke përmbysur rezultatin në 3-1, dhe, pavarsisht se skuadra vendase arriti të barazonte rezultatin në 3-3, ishin miqtë që vijuan të triumfonin, madje bindshëm, me rezultatin 7-3, duke fituar edhe trofeun e kësaj veprimtarie.
Në përfundim të ndeshjes, u zhvillua edhe ceremonia e dhënies së cmimeve, të cilat u dorëzuan nga Z. Dervishi dhe homologët e tij të UNMIK-ut dhe, skuadra e minifutbollit të Shërbimit Doganor të Kosovës, përvecse trofeut të fitueses, fitoi edhe atë të "Lojtarit më të Mirë" të Kupës "Vëllazërimi", të cilën e meritoi sulmuesi me numrin 9, Naim Gërbeshi, autor i një loje të shkëlqyer dhe i disa prej golave të skuadrës së tij. Në përfundim të ndeshjes, u zhvillua një koktej për të gjithë të pranishmit.