E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të rinjtë, ata që vuajnë më tepër “ksenomaninë” shqiptare

Nga Algen Vrapi

Albania-Sport
- Është folur jo pak herë dhe kudo për politikën jo të efektshme në futboll për rritjen e talenteve të rinj. Por nuk është problem vetëm shqiptar. Terri Venabëlls, ndihmësi i trajnerit të Anglisë, Stiv MekKlaren, shprehet kritik ndaj sistemit të akademive në Angli dhe merr si shembull Arsenalin, që tërheq shumë talente, por nga vende të tjerë, duke penguar përparimin e të rinjve vendas. "Ka shumë lojtarë të rinj që vijnë nga jashtë, të cilët vështirësojnë punën e të rinjve tanë, - thotë ai. - Arsenali ka një sistem akademie fantastike, por shumica e lojtarëve janë të huaj." "Kjo e bën edhe më të vështirë përparimin e talenteve tanë në të ardhmen", - shton ai. Nëse Anglia është e shqetësuar për përgatitjen e talenteve vendas, ne duhet të jemi të alarmuar. Ksenomania kur ciftëzohet me mungesën e dijeve dhe vizionit të nevojshëm për futbollin, është tejet e dëmshme në rritjen e talenteve në klubet shqiptare. A mund të ripërtërihet shkolla jonë e futbollit, me tiparet më të mira të trashëgimisë dhe me metodat më të përparuara të futbollit bashkëkohor? Sigurisht që mundet. Ka shumë shembuj që flasin për evoluimin e mendësisë në këtë fushë, duke u dhënë përparësi, duke u dhënë më shumë shans që të luajnë, të rinjve vendas, përgjithësisht të përgatitur pranë klubit. Nuk është vetëm Partizani,por po ndalemi këtu. Fitore në Elbasan 2-0 ndaj kampionëve në fuqi, fitore me Kastriotin 1-0, barazim në "Loro Borici" me Vllazninë gjithnjë në elitën e futbollit shqiptar. Protagonistë të kësaj paraqitjeje, deri tani të kënaqshme, janë të rinjtë. U është dhënë besim dhe e kanë justifikuar. Vetëm duke luajtur forcohet besimi në vetvete, ngrihet niveli, sigurohet e nesërmja.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›