Bogdani rrezikon Serinë B

Erjon Bogdani dje pas golit
Nëse deri një ditë më parë ishin 4 skuadrat që rrezikonin lidhur me çështjen e skandalit të basteve, Sampdoria, Bari, Çezena dhe Leçe, dje dosjeve të prokurorëve u është shtuar edhe një tjetër ekip, Siena. Piemontezët janë futur në valle nga dëshmitë e djeshme të dy të penduarve, si Filipo Karobio (ish-Siena), si dhe nga Dario Pasoni, ish-futbollist i Albinolefes. Këta kanë pranuar paracaktimin e rezultatit të sfidës Albinolefe-Siena të sezonit të kaluar në Serinë B. Por të tjerë emra që pritet të zbardhen në ditët e ardhshme gjithashtu kanë implikuar bardhezinjtë si një nga skuadrat që kanë trukuar disa ndeshja radhazi në kampionatin e kaluar, të luajtur një kategori më poshtë. Pas fakteve të fundit dhe implikimeve të shumta, prokuroritë pritet të përdorin dorë të hekurt ndaj skuadrave të përfshira në operacionin “Last Bet”, të cilat përflitet se do të zbresin një kategori më poshtë. Por nëse kjo gjë konfirmohet, atëherë bomberi shqiptar, Erjon Bogdani, rrezikon ta nisë sezonin e ardhshëm në Serinë B, edhe pse sapo është transferuar te bardhezinjtë, ka shënuar 2 gola dhe ka merituar vlerësimin si blerja më e mirë e merkatos së dimrit.