Mbreti Mourinho

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, ende pa përfunduar sezoni e ka siguruar një titull. Pa marrë parasysh rezultatin e takimit kundër Real Betisit të shtunën mbrëma, strategu portugez është trajneri më i suksesshëm në histori të futbollit spanjoll, pas 100 ndeshjeve të para në detyrë.
Mourinho ka fituar 76 prej 99 takimeve të deritashme në krye të Realit, kurse ka barazuar 13 dhe humbur 10 herë. Përqindja e fitoreve të tij, 76.7, e ngrit Mourinhon në pozitën e parë, para trajnerit legjendar të Realit, Miguel Munoz dhe strategut aktual të Barcelonës, Pep Guardiola, të cilët kishin fituar 70 % të 100 dueleve të tyre të para në krye të skuadrave përkatëse.
Fitorja më e thellë e Mourinhos deri më tani ishte shkatërrimi 8-0 i Levantes në Copa del Rey në dhjetor 2010. Kurse fitorja më e mirë e tij ishte ajo 1-0 ndaj Barcelonës në finalen e Copa del Rey më 29 prill 2011.
Reali e fitoi Kupën pas 18 vitesh falë golit nga sulmuesi portugez Cristiano Ronaldo, i cili realizoi në lojën shtesë. Ndërsa në 25 xhirot e deritashme në La Liga, Reali ka shkëlqyer me bilanc prej 22 fitoresh, një barazimi dhe dy humbjeve dhe ka tubuar 67 pikë, plot dhjetë më tepër se përcjellësi i parë Barcelona.
Ekipi i Mourinhos po ashtu ka shënuar fitore në dhjetë ndeshjet e fundit. Por, ajo që ende paraqet problem për Mourinhon dhe skuadrën e tij janë përballjet me Barcelonën. Prej ardhjes së tij në Santiago Bernabeu më 2010, Mourinho është mposhtur në gjysmën e dueleve me gjigantin katalan.
Në 10 përballjet e deritashme të tij me Barcelonën, si trajner i Real Madridit, Mourinho ka shënuar vetëm një fitore, kurse ka barazuar katër herë dhe ka pësuar pesë disfata.