Golashënuesit e pesëfishtë

Lionel Messi shënoi rekord të ri për më së tepërmi gola të shënuar në një ndeshje të Ligës së Kampionëve, kur realizoi pesë herë në fitoren e Barcelonës 7-1 ndaj Bayern Leverkusenit në Nou Camp të mërkurën.
Ylli argjentinas vazhdoi të shkelë rekorde në rrugën e tij drejt fronit të futbollistit më të mirë në histori. Por, ai nuk është i vetmi që ka realizuar pesë herë brenda një takimi. Goal.com ka sjellë një përmbledhje të lojtarëve të tjerë, që u bënë golashënues të pesëfishtë gjatë një ndeshjeje.
Andy Cole: Man Utd - Ipswich Town (1995)
Andy Cole në ditët e tij më të mira në Manchester United konsiderohej sulmues i frikshëm së bashku me partnerin e tij Dwight Yorke. Ish reprezentuesi anglez u bë futbollisti i parë në histori të Premierligës që shënoi pesë gola brenda një takimi. Cole e bëri këtë në fitoren 9-0 kundër Ipswich Town më 5 mars 1995.
Daniel Fonseca: Valencia - Napoli (1992)
Daniel Fonseca kaloi një pjesë të gjatë të karrierës së tij në Itali dhe shkëlqeu në Napoli në dy sezonet sa ishte anëtar i skuadrës nga Stadio San Paolo. Ndeshja më e mirë e tij për Napolin erdhi në Kupën UEFA kundër Valencias më 16 shtator 1992, kur ai realizoi të gjithë pesë golat e fitores 5-1 në Mestalla.
Jurgen Klinsmann: Fortuna Dusseldorf - Stuttgart (1986)
Jurgen Klinsmann kaloi karrierë të ndritur në klube dhe Kombëtaren gjermane, kurse prezantoi veten në skenë kur si 21 vjeçar realizoi pesë gola në fitoren 7-0 e Stuttgartit kundër Fortuna Dusseldorfit më 15 mars, 1986. Të gjithë golat, Klinsmann i realizoi brenda 42 minutave, kurse një vit më vonë mori ftesën në Kombëtaren e Gjermanisë.
Soren Lerby: Ajax - Omonia (1979)
Soren Lerby ishte futbollisti i fundit që shënoi pesë gola në një garë të klubeve evropiane para Messit. Danezi realizoi pesë herë në fitoren 1-0 të Ajax Amsterdamit kundër Omania Nicosia më 29 tetor, 1979, arritje e jashtëzakonshme duke llogaritur faktin se ai ishte mesfushor luftarak e jo qendërsulmues.
Roberto Pruzzo: Roma - Avellino (1986)
Roberto Pruzzo ende mban status legjendar në skuadrën e Romës dhe fitoi nofkën ‘Il Bomber’ për tri çmimet e golashënuesit më të mirë të ligës me Giallorossët. Ai është tejkaluar nga Francesco Totti si golashënuesi më i mirë në histori të klubit, por ende mban rekordin për numrin më të madh të golave të shënuar në një ndeshje të Serie A. Pruzzo tundi rrjetën pesë herë në fitoren ndaj Avellinos më 16 shkurt 1986.
Malcolm Macdonald: Anglia - Qipro (1975)
Malcolm Macdonald shkroi emrin e tij në librat e historisë duke shënuar të pesë golat në fitoren 5-0 të Anglisë ndaj Qipros më 16 prill, 1975. Ai mund të përfundonte takimin edhe me më tepër gola pasi një tjetër iu anulua për pozitë jashtë loje, kurse në një tjetër rast të mirë e dërgoi topin mbi portë.
Gerd Muller: Bayern Munich - TeBe Berlin (1976)
Gerd Muller ishte një prej sulmuesve më të mirë që shkeli fushat e futbollit dhe nuk duhet të befasoheni që ai realizoi pesë herë në fitoren e thellë të Bayern Munichut ndaj TeBe Berlinit 9-0 më 10 shtator. 1976. Por, ajo që e bën edhe më të veçantë është se ai e përsëriti këtë edhe tri herë të tjera.
Oleg Salenko: Rusia - Kameruni (1994)
Oleg Salenko kujtohet më së tepërmi për pesë golat që shënoi në ndeshjen e fazës së grupeve të Kampionatit botëror 1994 kundër Kamerunit. Rusia fitoi bindshëm 6-1, por dështoi të kualifikohej në fazën e nokautit pas humbjeve nga Suedia dhe Brazili. Salenko ende mban rekordin për më së tepërmi gola të shënuar në një ndeshje të Kampionatit botëror.
Alan Shearer: Newcastle - Sheffield Wednesday (1999)
Alan Shearer është golashënuesi më i mirë i Premierligës me 160 gola, andaj nuk është befasi që edhe ai është në mesin e futbollistëve që shënuan pesë gola brenda një takimi. Sulmuesi legjendar realizoi pesë herë në fitoren 8-0 të Newcastles ndaj Sheffied Wednesday më 19 shtator 1999.
Archie Thompson: Melbourne Victory - Adelaide Utd (2007)
Archie Thompson zhvilloi njërën prej ndeshjeve më të mira në karrierën e tij, kur shënoi pesë herë në fitoren e Melbourne Victory ndaj Adelaide United me rezultat 6-0 në A-League Grand Final më 18 shkurt 2007. Thompson nuk është i huaj në statistikat mbresëlënëse për një ndeshje pasi kishte shënuar 13 herë në fitoren 31-0 të Australisë ndaj Samoas Amerikane në kualifikime për Kampionat botëror në prill 2001.
Raste të tjera
Përveç këtyre të lartpërmendura, ka edhe futbollistë të tjerë që janë pjesë e listës, përfshirë pesë golat e Ian Rush kundër Luton Town më 29 tetor 1983. Sulmuesi i Galatasarayt, Tanju Colak po ashtu meriton të përmendet për pesë golat e tij në dy ndeshje të ndryshme. Jose Altafini shënoi pesë herë në fitoren 8-0 të Milanit ndaj Union Luksemburgut më 12 shtator 1962, kurse Fabrizio Ravanelli e bëri atë në fitoren 5-1 të Juventusit kundër CSKA Sofias më 1996. Alti Edvaldsson u bë futbollisti i parë jo-gjerman që shënoi pesë gola në një ndeshje të Bundesligës më 1983, ndërsa Dimitar Berbatov i Manchester Unitedit u bë sulmuesi i parë i huaj në Premierligë që shënoi pesë herë kundër Blackburnit sezonin e kaluar.