Murinjo: Te Barça janë njerëz falsë
Zhoze Murinjo u kritikua nga Barcelona disa muaj më parë, për shkak se ai akuzonte shpeshherë arbitrat për gabimet që bënin në fushë. Madje, katalanasit u shprehën se në filozofinë e tyre nuk hynin polemikat ndaj gjyqtarëve. “Dikur më kritikonin se merresha me arbitrat. Unë nuk jam një njeri perfekt dhe e pranoj se kam gabimet e mia. Por, ajo që më karakterizon gjithnjë, është se unë nuk shtirem dhe e pranoj veten siç jam. Janë disa të tjerë që hiqen si njerëz shembullorë dhe tashmë po shikojmë që nuk janë të tillë. Edhe ata (Barcelona) po kritikojnë arbitrat dhe po ankohen, pra qenkemi të gjithnjë njësoj. Më vjen keq që shtiren dhe në fund dalin që janë shumë falsë në sjelljen e tyre”, u shpreh Murinjo. Ish-zëvendëspresidenti i Barçës, Alfons Godall, deklaroi dje se në kohën e Laportës, klubi katalanas trajtohej më mirë nga arbitrat. Tekniku portugez e komentoi duke thënë: – “Mbase ai di diçka që flet në këtë mënyrë, gjithsesi nuk kam aq kohë sa të merrem me deklaratat e të tjerëve”. Murinjo ka vendosur që tashmë të heqë dorë nga polemikat me gjyqtarët. “Kam qëndruar disa ndeshje larg skuadrës si i pezulluar dhe jam gjobitur disa herë. Kjo ka shkaktuar një dëmtim të imazhit tim, pasi në të vërtetë nuk jam problematik. Tani e tutje nuk do merrem më me arbitrat, aq më tepër që po merren të tjerët në vendin tim”, shtoi “speciali”.