Superiore, luhet java e ferrit për kreun

Foto ilustruese
Skënderbeu në Peqin, Teuta ndaj një Vllaznie të paparashikueshme.
Tirana ndaj Pogradecit në baltën e “Ruzhdi Bizhutës”
Quajeni java e “ferrit” për kreun. Tirana kërkon të konfirmojë momentin e mirë, Teuta për t’u kthyer te fitoret, ndërsa Skënderbeu për të vazhduar hapin gjigant drejt vendit të parë. Korçarët janë të tretët dhe presin ndonjë gabim të rivalëve për të përfituar, edhe pse vetë kanë një ndeshje të vështirë për t’u kaluar. Java nis sot me tri sfida “bombë”: Teuta pret Vllazninë, Skënderbeu luan në transfertë me Shkumbinin, ndërsa Kastrioti sfidon Flamurtarin në shtëpi. Në Durrës kanë kohë që nuk shijojnë një fitore dhe, pas atij barazimi shprese ndaj Flamurtarit, sot do të synohen tri pikë ndaj Vllaznisë. Përtej faktit se “djemtë e detit” luajnë në shtëpi, sfida me shkodranët duket delikate. Vllaznia është në ngritje dhe gjithnjë një ekip i paparashikueshëm, sidomos gjatë këtij sezoni. Një blof i durrsakëve në “Niko Dovana” mund të bëjë me krahë Tiranën, që do të luajë nesër ndaj Pogradecit në fushë asnjanëse. Në krahasim me ekipet e tjera, bardheblutë duken më të favorizuar në letër për këtë javë. Gjithsesi, çdo gjë bëhet edhe më e vështirë, për vetë faktin se ndaj Pogradecit do të luhet në Elbasan dhe Rubio & CO i druhen më shumë terrenit të keq të “Ruzhdi Bizhutës”, sesa kundërshtarit. Madje, nën zë thuhet se drejtuesit e Skënderbeut nuk pranuan që të jepnin leje që kjo përballje të luhej në terrenin e stadiumit të Korçës, për të mos ua lehtësuar më shumë punën bardhebluve. Një fushë me tapet ndër më të mirët, si ajo e Korçës, mund t’ia lehtësonte punën Tiranës, ndërsa në baltën e Elbasanit duket se gjërat do jenë më të vështira. Skënderbeu gjithashtu luan në transfertën e egër të Peqinit. Shkumbini ka pësuar vetëm një humbje në shtëpi dhe për kampionët në fuqi është testi i së vërtetës. Kreu kalon nga Peqini dhe trajneri çek Stanislav Levi është i bindur për këtë, pasi kalendari e favorizon në vazhdimësi. Në Krujë luhet një sfidë për Europën, ku vetëm barazimi nuk bën punë. Të dyja skuadrat vijnë pas rezultateve negative, teksa ndeshja e sotme duket si një finale për vazhdimësinë e tyre në kampionat. Një fitore ndaj Kastriotit mund të rifusë në lojë vlonjatët për kreun. Nga ana tjetër, një humbje i hedh në erë sezonin. “Zjarr” edhe në fund të renditjes, ku do kemi plot tri sfida, nga të cilat dy për “jetë e vdekje”. Kështu Apolonia mund të luajë “trenin e fundit” ndaj Laçit, ndërsa Dinamo do provojë të marrë fitoren e parë ndaj Tomorit të Beratit. Takimi do luhet ditën e nesërme nën efektin e dritave në stadiumin “Qemal Stafa”.
Superiore/ Java 16
Sot
Kastrioti-Flamurtari 14:00
Shkumbini-Skënderbeu 14:00
Teuta-Vllaznia 18:00
Nesër
Pogradeci-Tirana 13:00
(luhet në Elbasan)
Laçi-Apolonia 13:00
(luhet në Shkodër)
Kamza-Bylis 13:00
Dinamo-Tomori 17:00
Tirana/ Grupi i plotë, mungon vetëm Pisha
Situata vjen duke u përmirësuar për Tiranën, teksa në ndeshjen e nesërme do të ketë një grup pak më të kompletuar. Rikthimi i Sinës, Dabullës, i japin më shumë alternativa trajnerit spanjoll për sfidën me Pogradecin. Mungesa e vetme, por edhe më e rëndësishmja, është ajo e Arian Pishës, i cili edhe për këtë takim nuk do të jetë i gatshëm. Mbrojtësi, edhe pse ka filluar stërvitjen individuale, vazhdon të mos jetë në kondicionin e duhur. Ai ka pësuar tërheqje muskulore dhe trajneri në vend të tij do të aktivizojë një tjetër lojtar me peshë, siç është Rezart Dabulla.
Lika: Su japim asnjë shans rivalëve
Trajneri i Teutës, Hasan Lika, është i bindur se skuadra e tij nuk do t’u japë asnjë shans rivalëve pas kësaj jave të kampionatit. “Do të kundërshtoja disa zëra, që e trajtojnë ndeshjen me Vllazninë si fitore të sigurt. Sfidat tani janë me të gjitha ekipet, të cilët veçanërisht ndaj Teutës kryesuese për-piqen të rezistojnë, pse jo edhe të bëjnë befasi. Jemi në fillim të fazës së dytë, na duhet të përqendrojmë maksimalisht të gjitha forcat për të mos toleruar më. Na duhen fitore, por ato nuk mund të arrihen, nëse nuk u kthehemi vlerave pozitive të manifestuara në 13 ndeshjet e fazës së parë”,- ka thënë dje për “Panorama Sport” trajneri Hasan Lika.