Edi Gjini: “Ju tregoj presidentët bardheblu”

Ish-sekretari i Klubit të Tiranës, Shkëlqim Muca dha dorëheqjen e më pas u zyrtarizuar edhe shkarkimi i tij nga Këshilli Bashkiak i Tiranës. Po me një vendim të Bashkisë ku drejton Edi Rama u vendos edhe emërimi i sekretarit të ri, Eduard Gjinit. "Në pikëpamjen institucionale klubi i futbollit varet nga Bashkia e Tiranës, që financon edhe një shumë të konsiderueshme për mbarëvajtjen e klubit", - thotë Gjini.
Në të vërtetë brenda klubit Tirana, dashur pa dashur ekzistoi për një periudhë 2-vjecare (2005-2007) edhe një marrëdhënie detyruese, edhe pse në distancë midis dy kundërshtarëve të njohur politikë: kryetarit të Bashkisë, njëherësh edhe të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe nënkryetarit të Partisë Demokratike, njëherësh edhe president i Klubit të Futbollit "Tirana", Bamir Topi, sot President i Republikes.
Zoti Gjini, Tirana është klubi që ka parë më shumë presidentë pas viteve 1990, pesë të tillë, madje është ende pa një të tillë në drejtim, qysh kur i fundit, Presidenti i Republikës, Bamir Topi u dorëhoq nga drejtimi i klubit. Cili eshte opinioni juaj per secilin nga keta?
Unë personalisht kam filluar punë në klubin e Tiranës, kur president ishte biznesmeni egjiptian El-Sajed Metalliu. Pavarësisht, se nuk kam qenë një bashkëpunëtor i Metush Seferit, presidentit të parë të Tiranës, në klub ruhet një konsideratë e lartë për të, kjo edhe nga pohimet e ish-sekretarit të asaj kohe, Skënder Hykës. Tirana edhe nën drejtimin e Seferit (1993-1998) ishte ndër klubet më të paguara për kohën.
Për Lutfi Nurin (1998-1999), aktualisht sot zëvendëspresident i Federatës Shqiptare të Futbollit...
Ishte një president shumë i apasionuar. Vendosi standarde të tjera në pagesa dhe Tirana fitoi titullin kampion, atë vitit 1999-2000.
Egjiptiani Abdelrrahman Metwally El Sayed (1999-2004) ishte presidenti i dytë i huaj i një klubi shqiptar, pas italianit të Partizanit, Vicenzo Minjoli. Fitoi disa kampionate e kupa, por me fund të hidhur. U detyrua të largohej...
Me të Tiranë bëri një hop cilësor, sidomos në pagesat e lojtarëve. El-Sajed kishte një eksperiencë të madhe në drejtimin e një klubi futbolli dhe synoi menjëherë në blerjen e lojtarëve më cilësorë në kampionatin shqiptar, duke marrë nga Dinamo, Redi Jupi e Fjodor Xhafën, nga VLlaznia, Suad Licin, por riktheu në Shqipëri edhe emra të njohur si Devi Muka, i cili luante në Kroaci, apo Indrit Fortuzi, i cili aktivizohej në Greqi.
Fatmir Frashëri (2004-2005), një lojtar dhe trajner kampion me Tiranën. Presidenti i katërt i Tiranës, por i vetëlarguar...
Zgjedhja e Frashërit si presidenti i klubit përkoi me ardhjen e katër donatorëve: Agron Papuli, Refik Halili, Shefikat Ngjela e Avni Nuri. Fatmiri u propozua unanimisht dhe u votua po kështu. Tirana doli kampion në vitin e parë të katërshes dhe kaloi edhe turin e parë me Gomel dhe ishim shumë pranë edhe kualifikimit historik në turin e tretë eliminator, kur u ndalëm nga hungarezët e Ferencvarosh vetëm për një gol. Donatorët kanë dhënë për klubin gjatë katër viteve të tyre disa miliona dollarë.
Bamir Topi (2005-2007), atëherë nënkryetar i Partisë Demokratike, ishte dhe i pari politikan i lartë në krye të klubit. Ardhja e deputetit demokrat u konsiderua edhe si një armë më shumë për të vendosur balancat në katërshen e donatorëve, dy me bindje të djathta dhe dy me bindje të majta.
Personalisht, jo vetëm si sekretar i Klubit, por edhe si sportdashës i hershëm i Tiranës, ardhja e një figure si Topi, i dha një tjetër përmase klubit. Dorëheqja e tij erdhi për shkak të marrjes së detyrës së Presidentit të Republikës.
Sa ka ndikuar zoti Topi te Tirana, cila ishte influenca e tij?
Zoti Topi ishte një tifoz i hershëm i Tiranës edhe u pa u zgjedhur president i klubit, e më pas i Republikës. Për ne ishte një mbështetje e madhe morale, si për skuadrën ashtu dhe për donatorët. Prania e tij ka sjellë një risi në marrëdhëniet midis donatorëve, trajnerëve dhe lojtarëve në klub.
A ka ndonjë lidhje apo ndikim zoti Topi tani te Tirana?
Gjithmonë Presidenti Topi ka influencë në ekip, pasi në fund të fundit ai është presidenti i fundit i klubit, pavarësisht se ai u largua për shkak të marrjes së detyrës së lartë. Prania e tij në ndeshjet e kampionatit apo të kupës është një bonus moral për skuadrën.
Zoti Gjini, si kanë qenë raportet Edi Ramës e Bamir Topit, gjithmonë në lidhje me klubin. A ka pasur ndonjëherë konflikte për motive edhe të qëndrimeve politike midis të dyve.
Jo. Asnjëherë. Ka ekzistuar një harmoni e plotë. Edhe pse në distancë. Ata të dy, e kanë kuptuar se politika nuk ka të bëjë me futbollin. As zoti Rama, kryetari i Bashkisë, dhe as zoti Topi, nuk kanë ndikuar politikisht te futbolli apo për vendimmarrjen në klubin e futbollit që të kenë një sfond politik. Të dy kanë një të përbashkët: dashurinë për sportin dhe për rritjen e nivelit të tij. Edhe kompleksi ‘Skënder Halili' është një investim i Bashkisë së Tiranës dhe FSHF-së..
Kur do ta ketë Tirana presidentin e ri?
Sipas Statutit të Klubit, Asambleja Zgjedhore zhvillohet një herë në katër vjet. Tirana duhet të zhvillojë brenda tre-katër muajve Asamblenë Zgjedhore të radhës. Asambleja e fundit, në të cilën u zgjodh Fatmir Frashëri president dhe katër donatorët morën drejtimin e skuadrës u zhvillua në javën e parë të korrikut të vitit 2004. Jemi në fazën e përgatitjeve të Asamblesë së radhës, sigurisht pas përfundimit të edicionit sportiv.
Media ka përmendur një kandidaturë, një biznesmen të një rrjeti të fuqishëm supermarketesh. Pyetja është direkt. A do të qëndrojnë donatorët edhe për katër vite të tjera?
Në klub nuk ka mbërritur asnjë ofertë, nuk ka asnjë emër. Unë personalisht kam përgatitur dosjet për katër donatorët me programin e punës dhe ndërtimin e skuadrës për sezonin e ri, 2008-2009. Donatorët do të japin llogari për gjithë periudhën katërvjecare dhe do të jetë Asambleja ajo që do të vendosë se kush do ta drejtojë klubin.
Intervistoi: Dash Frasheri
12 presidentët bardheblu
Tirana në historinë e saj 88-vjecare ka pasur 12 presidentë, duke filluar nga themelimi i klubit në vitin 1920 e deri në ditët tona. Presidenti i parë i bardhebluve ka qenë Bahri Toptani, që dejtoi në vitev ‘20-‘30. Më pas erdhi Stefan Shundi e Selman Stërmasi deri në fund të vitit 1960. Lame Konomi i drejtoi bardheblutë për më shumë se 10 vjet. Në vitet e mëpasshme shohim Nuri Bylykyn, Clirim Hysin dhe Zija Shaba. Me rënien e komunizmit, në krye të klubit u vu Metush Seferi (1993-1998), për t'u pasuar nga Lutfi Nuri. Egjiptiani El Sajed u bë president vetëm në vitin 1999 dhe drejtoi deri më 2004. 4 donatorët vunë në postin honorifik Fatmir Frashërin, i cili u largua vetëm pas një viti, dhe më pas Bamir Topin, i cili dha dorëheqjen për shkak të zgjedhjes si President i Republikës.
Pesë presidentët post'90
1.Metush Seferi (1993-1998)
2 Lutfi Nuri (1998-1999)
3.El Sajed(1999-2004)
4.Fatmir Frashëri (2004-2005)
5.Bamir Topi (2005-2007)