E Shtunë, 31 Tetor 2026

LSI miraton në heshtje buxhetin e Bashkisë së Tiranës

Nga L.Progni

LSI tërhiqet nga beteja me kryebashkiakun, Edi Rama, njëherësh kryetar i PS, duke i dhënë OK buxhetit të Bashkisë së Tiranës. Prefekti i Tiranës ka konfirmuar dje zyrtarisht se buxheti i Bashkisë së Tiranës është miratuar dhe i është paraqitur për shqyrtim prefekturës, i firmosur më parë nga nënkryetari i Këshillit Bashkiak, Petraq Simo. Para firmosjes, kryetari i Këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj, i cili është përfaqësues i LSI në këtë këshill, ka udhëzuar Petraq Simon të firmosë dokumentin e buxhetit të bashkisë për t’ia kaluar atë prefekturës së Tiranës në bazë të procedurave të zakonshme. Prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keçi, u shpreh dje për mediet se dokumenti që përmban buxhetin e Bashkisë së Tiranës është pranuar, pasi vjen i firmosur brenda rregullave të parashikuara për këtë procedurë. “Sot (dje), pranë prefektit, qarku Tiranë, ka ardhur sipas procedurës ligjore vendimi i Këshillit Bashkiak për miratimin në parim të buxhetit. Ai sot ka ardhur me firmën e nënkryetarit të autorizuar me shkrim me firmën e kryetarit. Rrjedhimisht, unë nënkuptoj firmën e kryetarit të Këshillit në këtë vendim dhe nga pikëpamja procedurale vendimi është pranuar në prefekturë”, - u shpreh Keçi. Miratimi i buxhetit nga anëtarët e Këshillit Bashkiak të LSI vjen pas dështimit të dy proceseve të votimit në Këshill Bashkiak të buxhetit të Bashkisë së Tiranës. Këshilltarët e LSI, por edhe ata të PD kanë paraqitur një sërë kritikash për projektbuxhetin, të orientuara kryesisht ndaj kryetarit të bashkisë, Edi Rama, të cilin ata e akuzojnë për korrupsion dhe abuzim me fondet publike në Bashkinë e Tiranës. rreth një javë më parë, Këshilli Bashkiak debatoi për disa orë radhazi për buxhetin, ku ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Këshilltarët e LSI paraqitën kritikat e tyre ndaj Ramës dhe mbledhja u shoqërua nga tensione të herëpashershme duke u mbyllur me një proces votimi të tensionuar. Rezultati i votimit nuk u pranua nga LSI, pasi votat u numëruan nga vetë kryetari i bashkisë, Edi Rama, dhe rezultoi se ishin të mjaftueshme për të miratuar buxhetin e bashkisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›