E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shitjet në ndërtim kanë rënë me 52% vitin që shkoi, çmimet përkundrazi

Nga Fitim Zekthi

Një prej sektorëve me kontributin më të rëndësishëm në ekonominë kombëtare, ai i ndërtimit, është duke pësuar rënien me të thellë të dhjetë viteve të fundit. Të dhëna zyrtare të Ministrisë së Financave bëjnë të njohur se gjatë pjesës së dytë të vitit që shkoi pati rënie të shitjeve të këtij sektori për zërin e banesave me rreth 52%. Shoqata e Ndërtuesve tha dje me shqetësim se në këtë sektor ka shumë e shumë kompani që nuk kanë shitur asgjë gjatë vitit që kaloi. Një prej drejtueseve të kësaj shoqate tha se shitjet kanë rënë në mënyrë shumë të ashpër duke vënë në vështirësi shumë të mëdha të gjithë industrinë e ndërtimit. Të dhëna të tjera të Ministrisë së Financave thonë se sipërfaqet e ndërtuara gjatë vitit që shkoi ishin rreth 26% më të ulëta sesa ato të vitit të mëparshëm. Në treguesit e Institutit të Statistikave sektori i ndërtimit shfaqet me rritje, e cila ndonëse e lehtë, megjithatë është e tillë. Kjo rritje më së shumti vjen për shkak të punimeve që kryhen në rrugën Durrës-Kukës nga kompani “Bechtel-Enka”, volumi i punimeve të së cilës bën që shifra totale e sektorit të ndërtimit të dalë me rritje. Numri i punonjësve në sektorin e ndërtimit ka rënë zyrtarisht me 14%, por kjo megjithatë nuk tregon saktë gjendjen reale për shkak të ekzistencës së një numri të caktuar punonjësish, të cilët nuk janë të regjistruar. Në anën tjetër, numri i punonjësve që mund të kenë humbur punën mund të jetë shumë më i lartë sesa 14%, por përpjekjet e administratës së tatimeve për regjistrimin e punonjësve mund të kenë rritur numrin e atyre që janë të regjistruar. Lejet e ndërtimit gjithashtu kanë pësuar rënie, megjithatë kjo ka pak gjasa të jetë e lidhur drejtpërdrejt me gjendjen e sektorit të ndërtimit, pasi kërkesat për leje kanë qenë të larta, por këshillat e rregullimit të territorit nuk iu janë përgjigjur këtyre kërkesave. Zëvendësministri i Ndërtimit, i cili qe i pranishëm, kur shqetësimet e ndërtuesve për rënien e thellë të ndërtimit u evidentuan, tha se ky biznes dhe këta biznesmenë duhet të kërkojnë të investojnë në sektorë të tjerë të ekonomisë, siç është energjitika. Zëvendësministri duket se e pranoi gjendjen e vështirë të ndërtimit dhe gjeti zgjidhje te zhvendosja e këtyre bizneseve në lëmenj të tjerë. Pavarësisht rënies së thellë të shitjeve në ndërtim, çmimet e banesave nuk kanë rënë aspak, përkundrazi janë rritur dhe ky është një paradoks. Kostot në ndërtim janë rritur, megjithatë kjo gjë nuk mund të bëjë që shitjet të bien dhe çmimet të rriten.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›