E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në kërkim të një “pazari”

Nga Mero Baze

Vala e re e reagimeve ndërkombëtare kundër përpjekjeve për të mos përfillur gjykimin e ligjit të lustrimit nga Gjykata Kushtetuese, po administrohet me qetësi prej kryeministrit, Sali Berisha. I qartë në objektivat politike që do të arrijë me debatin rreth këtij ligji, Berisha po përpiqet ta përdorë atë para fushatës së zgjedhjeve si kartën e fundit antikomuniste që i ka mbetur.

Ndërsa të gjithë janë të shqetësuar se konflikti i Berishës me institucionet perëndimore po thellohet për një ligj absurd, në të vërtetë duket se vetë Berisha nuk është i shqetësuar. Plani i tij final nuk është të prishet me Perëndimin për këtë ligj, por do ta shesë shtrenjtë politikisht një banalitet që ka prodhuar për interesa politike.

Skenari i tij u duk qartazi që në fillim. Në projekt u përfshi një nen, i cili u kujtonte “gjykatave” dhe natyrisht kihej parasysh Gjykata Kushtetuese, se s’mund ta gjykonte këtë ligj, nëse kishte konflikt interesi. Vala e fortë e reagimeve ndërkombëtare nuk e shqetësoi shumë. Përpjekja e tij për të krijuar një diferencë mes SHBA dhe Evropës, në favor të Evropës po ashtu dështoi, pasi Këshilli i Evropës dhe BE reaguan fort. Ambasadori i SHBA në Tiranë po ashtu reagoi dy herë rreth ligjit, por Berisha u përpoq t’i injoronte thirrjet e tij si personale. U desh takimi jozyrtar me zonjën Klinton në Uashington me rastin e Mëngjesit të Lutjeve, që Berisha të pranonte krejt papritur se do respektonte çdo vendim gjykate dhe do respektonte liritë politike dhe njerëzore. Deklarata ishte qartazi e pasinqertë, por bëhej si karshillëk i diplomatit amerikan në Tiranë, për t’i kujtuar këtij të fundit se ai, nëse bën “pazar” me këtë çështje, e bën me zonjën Klinton dhe jo me këta në Tiranë.

E njëjta situatë tashmë po përsëritet me evropianët. Diplomatët e BE në Tiranë, përfshi ambasadoren e Çekisë si drejtuese e radhës apo ambasadorin anglez, u injoruan. Dje, pati një deklaratë nga presidenca e BE dhe nga ambasadori i OSBE, por sërish u injoruan. Zonja Topalli përsëriti me qetësinë e Aldo Bumçit se do vazhdojnë procedurën për zbatimin e ligjit pa pritur Gjykatën Kushtetuese, ndërkohë që kësaj të fundit i kishte nisur një letër, ku e paralajmëronte se është në konflikt interesi.

Kjo e ka rritur shumë temperaturën politike mes qeverisë dhe institucioneve perëndimore, por dhe ka rritur brenda vendit dhe shqetësimin se mos vendi po hyn në konflikt të pakthyeshëm me BE. Për një qeveri që thotë se në pranverë do bëjë kërkesën për t’u anëtarësuar në BE, është qesharake të mendosh që fushatën për anëtarësim ta paraprijë me një konflikt publik, dhe gati-gati me diplomaci megafoni me Brukselin, ku mesazhet jepen publikisht, ngaqë nuk funksionon më bashkëpunimi.

Por asgjë e tillë nuk ka për të ndodhur. Berishës i duhet të krijojë një klimë mbështetjeje për të nga njerëzit e dëshpëruar të së djathtës, nga ish-të persekutuarit e zhgënjyer dhe ish-pronarët, të cilët komunistët i kanë shpronësuar. I duhet t’iu tregojë atyre se për ta është gati të futet në luftë me gjithë botën, vetëm e vetëm që të ndëshkojë të kaluarën. I duhet patjetër kjo betejë informale me Perëndimin, dhe në fund, fare papritur keni për të parë që do tërhiqet. Me siguri do të presë Samitin e NATO-s apo ndonjë ngjarje tjetër, kur dikush ta thërrasë dhe t’ia bëjë dhuratë tërheqjen nga beteja antikushtetuese. Do thotë i dëshpëruar se kaq mundi të bënte për këtë ligj dhe natyrisht do të gëzohet shumë, në mos, dyshoj se do ta inkurajojë Gjykatën Kushtetuese ta pezullojë dhe ta hedhë poshtë si antikushtetues këtë ligj. Kështu, “misioni i pakryer” i tij do të jetë një motiv që ai të vazhdojë të jetë udhëheqësi dhe njeriu i duhur që e lufton komunizmin, por që e pengojnë institucionet perëndimore. Në një shoqëri pa ndonjë kulturë të fortë demokratike dhe respekt për ligjin, dokrra të tilla funksionojnë për konsum të brendshëm. Natyrisht, Shqipërisë i bëhet realisht dëm në raportet me Bashkimin Evropian. Zyrtarët e Brukselit janë seriozë dhe janë duke mbajtur shënim për këto marrëzi, por kjo i intereson pak Sali Berishës. Në rast se ai humbet zgjedhjet, gjithçka fshihet dhe në rast se fiton, ju siguroj se do ta harrojë këtë ligj përfundimisht. Është thjesht duke e përdorur atë për të ngritur tensionin dhe për të kthyer mendjen rreth tij dhe mënyrës se si do ta zgjidhë këtë situatë. S’duhet marrë seriozisht kundërshtimi i tij, ashtu siç nuk duhet marrë seriozisht përkushtimi i tij për dekomunistizimin e shoqërisë.

Berisha është thjesht në kërkim të një pazari personal me historinë tonë të së shkuarës, me vuajtjet e qindra, mijëra shqiptarëve nën diktaturë, të cilët tashmë janë të braktisur dhe po bëhen dita-ditës objekt i përdorimit politik për interesat shumë personale dhe familjare të një njeriu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›