E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda: Çështjet që lidhen me pastrimin e parave, t’i gjykojmë ne

Nga Bledar Lumani

Gjykata e Krimeve të Rënda kërkoi dje që dosjet që lidhen me çështje të pastrimit të parave të gjykohen prej saj.

Kjo kërkesë u bë nga ana e kryetarit të kësaj gjykate, Dritan Hallunaj, gjatë analizës vjetore të kësaj gjykate.

Një nga çështjet më të rëndësishme të vitit të shkoi ishte dhe ajo e pastrimit të parave nga ana e sekserit boshnjak, Damir Fazlliç, por ajo do shqyrtohet nga Gjykata e Faktit, e cila vendosi dhe për lirimin e pasurive të tij të ngrira nga prokuroria.

Opozita ka vënë re disa herë se çështja Fazlliç do shqyrtohet nga gjykatës që nuk janë kompetentë për këtë punë.

Gjatë analizës së djeshme të Gjykatës së Krimeve të Rënda doli në pah dhe çështja e përgjimeve të telefonave. Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, tha se mund të ketë abuzime në lidhje me këtë çështje.

“500 është numri i kërkesave për përgjime të zhvilluara vetëm gjatë vitit 2008 në Gjykatën e Shkallës së Parë për Krime të Rënda, ndërkohë që 800 ishte numri i vendimeve të dhëna nga Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës. Të paktën vetëm në dy gjykatat e kryeqytetit janë 1.300 kërkesa të tilla për vënie numrash nën përgjim. Vendimet për përgjimet nuk monitorohen nga një gjykatë tjetër, siç është Gjykata e Apelit, me qëllim verifikimin e procedurave të ndjekura kur jepen vendime të tilla, për të mos përmendur kërkesa të shumta përgjimesh në gjykata të ndryshme të vendit”, - tha Spahiu.

“Gjyqtarit i vijnë kërkesat vetëm me numrin, pa përcaktuar në vendim emrin e individit që e ka këtë numër. Nuk është çudi që gjyqtari të vendosë krejt pa e ditur për të përgjuar numrin e gruas së tij apo të një të afërmi. Madje, nuk është çudi që shpesh të vihen në përgjim edhe numra personash me imunitet, të paprekshëm nga përgjimet, përveçse kur e lejon ligji”, - vijoi më tej ai.

Një tjetër çështje e ngritur dje ishte dhe ajo e mungesës së avokatëve në seanca.

“Disa prej çështjeve në gjykim, me gjithë përpjekjet tona, nuk kanë arritur të përfundojnë në kohë, kryesisht për shkakun e moskorrektesës së avokatëve mbrojtës apo të vonesave në kthimin e përgjigjeve të letër-porosive nga jashtë shtetit.

Disa herë i jemi drejtuar me relacione përkatëse për shkaqet e shtyrjes së seancave Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe për dijeni edhe Ministrisë së Drejtësisë, por asnjëherë nuk kemi marrë përgjigje, si reagim ndaj sjelljeve të avokatëve”, - vuri në dukje kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Dritan Hallunaj.

Gjatë vitit 2008, Gjykata e Krimeve të Rënda shqyrtoi 1021 çështje, nga të cilat, 145 çështje themeli, 277 masa sigurimi, 22 kërkesa për sekuestro të pasurie, 500 kërkesa për lejim përgjimesh të personave të dyshuar për krime të ndryshme etj. Për krime të rënda për vrasje janë dënuar 149 persona, nga të cilët 6 me burgim të përjetshëm dhe 39 të tjerë me masa që variojnë nga 10 deri në 25 vjet burg.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›