Bogdani te Lacio, sot mund të bëhet zyrtarizimi
Për Erjon Bogdanin dita e sotme mund të jetë vendimtare për të ardhmen e tij. Sipas medias italiane, pritet që lojtari të transferohet te Lacio, madje ditën e djeshme është hedhur hapi i parë, teksa sulmuesi bardhekaltër, Makinua, nënshkroi për Kievon. Vetë futbollisti nuk e ka mohuar tratativën, por ka lënë të kuptohet se dita e sotme mund të vendosë gjithçka. Ndërkaq, media italiane bën të ditur se sulmuesi i përfaqësueses ka arritur akordin verbal me krerët e skuadrës kryeqytetase, ku një ndikim të madh flitet se ka pasur edhe Igli Tare. 32-vjeçari nga Tirana nuk bën më pjesë në planet e Kievos dhe ndonëse ka pasur oferta edhe nga skuadra si Bolonja, Salernitana dhe Grenoble, ai dëshiron që të transferohet te Lacio. Pengesë për zyrtarizimin e kalimit të tij në klubin kryeqytetas është bërë trajneri i bardhekaltërve, Delio Rosi, i cili është në mëdyshje për formën e bomberit shqiptar.