E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e parë e pazakontë e Obamës, një mori me vendime

 

Pas festimeve emocionuese gjatë inaugurimit si Presidenti i 44-të i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama e nisi ditën e parë të punës me një ngarkesë të pazakontë. Ai ka reflektuar mbi sfidat që i kanë dalë përpara administratës së tij të re, trashëguar nga presidenca Bush. Pas ceremonisë të së martës, çifti Obama e bëri në këmbë një pjesë të rrugës nga “Pennsylvania Avenue” për në Shtëpinë e Bardhë. Një nga premtimet për ndryshim nisi që në orët e para në zyrë, kur Obama vendosi të mbyllë “Guantánamo Bay”, në Kubë, duke urdhëruar një ndërprerje të menjëhershme të së gjitha gjyqeve për krime ushtarake për 120 ditë, kohë gjatë së cilës ai do t’i shqyrtojë dosjet e të dyshuarve si terroristë. Në këtë kamp të themeluar pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001, ka pasur deri në 800 të burgosur, ndërsa aktualisht kanë mbetur 245. Presidenti u takua dje me këshilltarët e tij më të lartë ushtarakë për të hartuar rrugën përpara në Irak dhe Afganistan, si dhe me skuadrën ekonomike për sa i përket rrugëdaljes nga kriza e rëndë ekonomike me të cilën po përballet vendi. Kjo çështje ishte e para për nga rëndësia në axhendën e Obamës. Por në të njëjtën kohë, disa nga postet më të rëndësishme të kabinetit të Obamës janë në pritje të konfirmimit të detyrës nga vota e Senatit. Timoti F. Geithner si Sekretar i Thesarit, Erik H. Holder Jr. si Prokuror i Përgjithshëm dhe Hilari Rodham Klinton si Sekretare Shteti pritën orët e mbrëmjes së djeshme për të marrë konfirmimin për postet e tyre. Miratimi i senatores Hilari Klinton, si Sekretare e Shtetit, që u shty dje pas kundërshtimit të senatorit republikan Xhon Kornin. Obama planifikoi për dje edhe betimin e shtatë prej anëtarëve të kabinetit të tij, të cilët arritën të marrin konfirmimin nga Senati të martën. E para gjë që bëri presidenti ishte vizita në Katedralen Nacionale për një shërbim lutjes ndërfetare, ku u prit nga zv/presidenti Joseph R. Biden Jr. dhe ish-çifti presidencial Bill dhe Hilari Klinton. Lutja tradicionale daton që në kohën e Xhorxh Uashingtonit. Që në kohën e inaugurimit të Franklin D. Ruzvelt në vitin 1933, lutja është mbajtur në përgjithësi në katedrale, një vend i shenjtë i stilit gotik, që qëndron në kodrat e qytetit.
Reagime të liderëve
Udhëheqësit botërorë kanë shprehur opinionet e tyre për presidentin historik, Barak Obama, në ditën e tij të parë si lider i një vendi të fuqishëm. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun, tha se shpresonte sinqerisht që Presidenti Obama t’i shihte me përparësi politikat për Lindjen e Mesme. Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi, shprehu padurimin për fillimin e punës nga Obama, “në mënyrë që së bashku të fillojmë të ndryshojmë botën”. Kryeministri britanik, Gordon Braun e vlerësoi Obamën jo thjesht si presidenti i parë afro-amerikan, por si njeriu që mishëron vendosmërinë për zgjidhjen e problemeve të botës. Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel e quajti ditën e parë të punës së Obamës si “një ditë të posaçme, jo vetëm për Amerikën, por për miliarda njerëzit e gjithë botës”. Edhe Papa Benedikti XVI e sheh presidentin e ri si mishërim të shpresës. Ai u lut që presidenti Obama të nxiste mirëkuptimin, bashkëpunimin dhe paqen mes kombeve. Edhe Rusia është parë optimiste për liderin e ri të SHBA-së. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov tha se vendi i tij ishte gati. Ai tha se presidenti rus kishte biseduar me telefon me zotin Obama menjëherë pas zgjedhjes së tij. “Mendoj se do të shtohet një linjë, jo një linjë e thjeshtë telefonike mes dy udhëheqësve”, tha ministri i Jashtëm rus.

Tradita të reja
Obama ka shtuar tradita të reja në shërbimin fetar të ditës së parë presidenciale. Shërbimi kësaj radhe kishte jo më pak se 20 klerikë të besimeve të ndryshme përfshirë lidere femra të besimit islam dhe hindu. Për herë të parë, predikuesi ishte një grua, Rev. Dr. Sharon E. Uatkins, ministre e përgjithshme dhe presidente e Kishës Kristiane (Dishepujt e Krishtit). Në shërbimin fetar me fëmijë afrikano-amerikanë me këmisha të bardha dhe pantallona të zeza me një petk, shumë nga të cilët i buzëqeshnin presidentit të ri. Ata kënduan një interpretim të “Ai ka të gjithë botën në duar”.

Ora e parë
Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara Barak Obama, duket se nuk ka pasur kohë të pushojë. Obama ka mbërritur në zyrën e tij presidenciale, (Zyra Ovale) në 8:35 të mëngjesit, ku gjeti një mesazh të lënë nga presidenti amerikan i larguar vetëm një ditë më parë, Xhorxh Bush. Pasi lexoi i vetëm letrën konfidenciale (për të cilën zëdhënësja e Bushit tha një ditë më parë se përmbante vetëm urime për detyrën), ai ka kaluar atje pak momente, duke reflektuar mbi atë që e pret në mandatin e tij katërvjeçar në krye të vendit më të fuqishëm të botës.

Bush: Largohem pa hidhërim

Ish-presidenti amerikan, Xhorxh Bush, ndërsa u kthye në qytetin Midlend, Teksas në udhëtimin e tij të fundit me helikopterin presidencial, tha për gazetarët se ai u largua nga Shtëpia e Bardhë pa hidhërim. “Kthimi në shtëpinë time është një moment i bukur”, tha Xhorxh Bush ndërsa u kthye në Teksas. Bush dhe zonja e tij, Laura ishin të ftuarit e nderit në një ceremoni mikpritëse të zhvilluar në qytetin Midlend, e cila u zhvillua pasi ata u larguan nga Uashingtoni pas ceremonisë së inaugurimit të presidentit Barak Obama. “Objektivat e mia të reja përfshijnë korrjen e barit të shtëpisë”, tha Bush duke bërë shaka me gazetarët. Por përgjigjja serioze ishte se ai ka në plan të shkruajë një libër mbi tetë vitet e mandatit të tij, edhe pse të kritikuara. Ish-presidenti ka lënë trashëgimi për Obamën një sërë problemesh, si dy luftëra dhe një ekonomi në krizë.

Kabineti

Të miratuar
Sekretari i Energjisë - Steven Chu
Sekretare e Arsimit - Arne Duncan
Sekretare e Sigurisë së Brendshme - Janet Napolitano
Sekretari i Brendshëm - Ken Salazar
Drejtori i Buxhetit - Peter R. Orszag
Sekretari i Çështjeve Veterane - Eric K. Shinseki
Sekretari i Agrikulturës - Tom Vilsack.

Në pritje
Sekretari i Thesarit - Timothy F. Geithner
Prokurori i Përgjithshëm - Eric H. Holder Jr.
Sekretarja e Shtetit – Hilari Klinton

Në detyrë pa votë
Sekretari i Mbrojtjes – Robert Gates

Votim i shtyrë
Sekretari i Shëndetit - Thomas A. Daschle

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›