E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qëlloi nënën me thikë, lirohet i akuzuari për vrasje

 

TIRANE - Gjykata urdhëron lirimin e menjëhershëm nga burgu për 32-vjeçarin Elvin Mejdani, të akuzuar për vrasje me dashje, pasi qëlloi tri herë me thikë nënën e tij. Me një vendim të firmosur nga gjyqtarja Shefkie Demiraj, Gjykata e Tiranës urdhëron lirimin e menjëhershëm të personit të akuzuar nga ambientet e paraburgimit "Jordan Misja" në kryeqytet. Ai është mbajtur në izolim prej momentit kur u arrestua nga policia, deri sa gjykata urdhëroi lirimin e tij për shkak të gjendjes mendore të rënduar. Vendimi i gjykatës mban datën 20 janar 2009, pra është shpallur tri ditë më parë. Gjyqtarja vëren se gjendja mendore-psikologjike e 32-vjeçarit të akuzuar për vrasje me dashje ndaj nënës së tij, është në përmasat e papërgjegjshmërisë. Në kushtet kur një gjendje e tillë mendore e 32-vjeçarit është provuar para gjykatës me anë të ekspertizës psikike, togat e zeza kanë urdhëruar mjekim të detyrueshëm ambulator për autorin e ngjarjes së rëndë që ndodhi më 1 qershor 2008 në rrugën "Labinoti", në pallatin nr.4, pranë ish-Drejtorisë së Tatimeve në Tiranë. Atë ditë Katerina Mejdani u gjet pandjenja si pasojë e tri plagëve, që kishte marrë nga goditjet me thikë prej djalit të saj 32-vjeçar. Një telefonatë në familjen Mejdani kryer nga të afërm të Katerinës, ka zbuluar edhe ngjarjen. "Jam shtrirë në divan, më ka goditur djali me thikë. Ai ka qëlluar edhe veten, por nuk e shoh ku është", kanë qenë fjalët që Katerina Mejdani i ka thënë të motrës në telefon. Vetëm pak çaste më pas në banesën ku ndodhi ngjarja kanë mbërritur disa të afërm dhe forcat e policisë, që dërguan menjëherë në spital gruan e dëmtuar, si dhe vetë autorin e ngjarjes, i cili pasi kishte qëlluar nënën, dëmtoi edhe vetën me thikë. Ai kishte tentuar të vetëvritej, duke prerë veten në bark por si pasojë e gjendjes së rënduar psikologjike nuk kishte arritur të përmbushte qëllimin e tij në atë moment. Dy ditë pas ngjarjes, teksa mjekohej në spital Elvin Mejdani u mor në pyetje nga hetuesit e policisë, të cilëve u tha se e kishte qëlluar nënën sepse "armiqtë e kishin rrethuar". I akuzuari mjekohej që më parë për probleme mendore, ndërsa prokuroria realizoi ekspertim shkencor për gjendjen e tij, çka provoi se ai vuan nga sëmundje që duhet të kurohen në kushte ambulatore.                         tr.so

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›