KLD-ja ligj për solemnitetin në gjyq
Fatos Mahmutaj
KLD-ja rregullon me ligj solemnitetin në gjykim. Me anë të një vendimi të pak ditëve më parë, ky institucion u jep formë rregullave, deri më tashmë të paspecifikuara ligjërisht për një gjykim model në dy shkallët e para të gjyqësorit. Ndërkohë këtë vendim krerët e gjykatave janë të detyruar ta afishojnë në vende të dukshme në gjykata. Në vendim pohohet se solemniteti në gjykim, konsiston në zhvillimin e procesit gjyqësor në respektim të standardeve, që kanë të bëjnë me vendin e posaçëm dhe kushtet e zhvillimit të gjykimit, veshjen dhe sjelljen e subjekteve të pranishëm. "Të gjitha proceset gjyqësore, duhet të zhvillohen në salla gjykimi të përshtatshme për natyrën e çështjes konkrete. Çdo sallë gjykimi, ndër të tjera, duhet të jetë e pajisur me: Stemën e Republikës, flamurin kombëtar dhe një barrierë që shërben si ndarje mes sipërfaqes ku qëndron publiku dhe pjesës ku qëndrojnë pjesëmarrësit në gjykim", thuhet në vendim, ku shtohet se sallat duhet të pajisen me një vend të posaçëm për qëndrimin e dëshmitarit, ekspertit dhe përkthyesit. Thuhet se gjyqtari, gjatë seancave duhet të mbajë veshje të posaçme sipas një modeli uniform për gjyqtarët e çdo niveli gjykimi. "Toga e gjyqtarit, është veshje me ngjyrë të zezë dhe me një xhufkë në njërën anë të shpatullës me ngjyrë të kuqe për gjyqtarët e Faktit dhe dy të tilla për ata të Apelit. Veshja e përditshme e gjyqtarit në ambientet e gjykatës duhet të jetë serioze dhe e përshtatshme për pozicionin zyrtar", pohohet në vendim. Po kështu specifikohet edhe veshja për sekretaren gjyqësore, për të cilën thuhet se gjatë proceseve mund të mbajë veshje të posaçme të ngjashme me atë të gjyqtarit, me ngjyrë gri të errët. Po kështu sekretarja duhet të demonstrojë seriozitet në veshje në ambientet e punës së kryer jashtë sallave, apo kohës së zhvillimit të proceseve. Për palët në gjykime, vendimi parashikon se në avokatët dhe prokurorët duhet të veshin togën e posaçme, ndërsa palët e tjera apo të pranishmit në gjyq duhet të vishen seriozë. Pjesë e solemnitetit është edhe orari i gjyqeve, i cili duhet të respektohet, ndërsa në momentin e hyrjes së trupit gjykues, të pranishmit ngrihen në këmbë, nën njoftimin e sekretares. Gjatë gjyqit, palët duhet të mbajnë qëndrim korrekt dhe respekt për gjykatën, subjektet e tjera në proces apo të pranishmit në sallë. "Komunikimi ndaj trupit gjykues nga palët e të pranishmit duhet të jetë me ton të përshtatshëm, duke iu drejtuar me "Ju" ose "I nderuar". Ndërsa palët, ekspertët apo dëshmitarët duhet të flasin në këmbë para gjykatës. Në çdo sallë gjykimi, duhet të jetë në dispozicion një nëpunës gjyqësor, që ngarkohet të njoftojë praninë e gjykatës; ndihmon në rregullimin e të pranishmëve dhe korrektimin e sjelljeve të përshtatshme; zbaton urdhrat e gjykatës për lëvizjen e njerëzve në sallë, si dhe kryen çdo veprim tjetër, që i shërben mbarëvajtjes së normalitetit të procesit, në zbatim të urdhrave të gjykatës.
Solemniteti
- Gjykimi në salla, veshje të posaçme e sjellje të përshtatshme e të pranishëm.
- Sallat të jenë të pajisura me stemën e Republikës; flamurin kombëtar dhe një barrierë ndarëse mes publikut dhe subjekteve pjesëmarrëse në gjykim.
- Dëshmitarët, ekspertët e përkthyesit kanë vend të posaçëm.
- Gjyqtari në seancë mban veshje të posaçme.
- Veshja e përditshme e gjyqtarit në gjykata duhet të jetë serioze dhe e përshtatshme për pozicionin zyrtar.
- Sekretarja gjyqësore në seanca mund të mbajë veshje të ngjashme me të gjyqtarit, me ngjyrë gri të errët.
- Sekretarja gjyqësore, duhet të demonstrojë seriozitet në veshje në ambientet e punës së kryer jashtë sallave apo kohës së gjyqit.
- Avokati dhe prokurori vishen me togën e posaçme.
- Palët pjesëmarrëse në proces apo të pranishmit duhet të mbajnë veshje serioze.
- Proceset gjyqësore duhet të fillojnë në respektim të orarit të gjykimit.
- Kur hyn trupi gjykues të pranishmit ngrihen në këmbë, nën njoftimin e sekretares.
- Nëpunësi gjyqësor ngarkohet të njoftojë praninë e gjykatës; rregullon të pranishmit; korrekton sjelljet e të pranishmëve në gjyq; zbaton urdhrat e gjykatës për lëvizjen e njerëzve në sallë;
si dhe çdo veprim tjetër që i shërben mbarëvajtjes së normalitetit të procesit, në zbatim të urdhrave të gjykatës.