E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shteti po na rrethon pronat te Uji i Ftohtë”

 

Ferdinand Dervishi

Pas bllokimit të paligjshëm të një pjese trualli në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, një ngjarje e konsumuar me shumë bujë nga forcat speciale të policisë në mes të shtatorit të këtij viti, shtetit duket i është hapur oreksi. Kjo, sepse këto dy ditë të fundit, një mur i destinuar të përfshijë brenda tij ish-truallin rreth një vile qeveritare, që dikur frekuentohej nga Mehmet Shehu, ka devijuar gjurmën e përcaktuar në projekt duke u drejtuar të fusë nën rrethim një tjetër pronë të ligjshme të disa banorëve vlonjatë. Këtë tentativë të re të përfaqësuesve të shtetit në Vlorë e denoncon Ali Kadëna, 75-vjeçar, një prej pronarëve të ligjshëm të truallit. “Ka dy ditë që forcat e Gardës së Republikës janë shtuar në rojë të një muri prej betoni që po i drejtohet pronave tona të ligjshme”, shpjegon 75-vjeçari për “Panorama”. Sipas tij, prona, e cila po tentohet të rrethohet me mur është e njohur si e tyre në mënyrë të ligjshme në të gjitha shkallët e gjykatave, pra edhe në Gjykatën e Lartë dhe që të vihet dorë duhet të shkelen të gjitha ligjet e shtetit. “Gjithsesi, ne po na duket se më shumë se dëshira e shtetit për të na marrë pronën e ligjshme, është shtuar dëshira e Barie Isufit, drejtoreshës së Shërbimeve Qeveritare në Vlorë, e cila ka urdhëruar gardistët të na bllokojnë në pronën tonë. Habitemi se ku e gjen kurajën të përdorë vend e pa vend emrin e kryeministrit Sali Berisha, duke bërtitur në kupë të qiellit në çdo rast që i kërkohen shpjegime, se ‘këtë punë’ e ka urdhëruar vetë kryeministri. Sepse ne nuk dimë se si ka të ngjarë që një kryeministër të mos zbatojë ligjet e shtetit që drejton”, shpjegon Ali Kadëna.   
Konflikti i ri
Në fakt, konfliktin më të ri mes shtetit dhe pronarëve të trojeve në këtë zonë të “Ujit të Ftohtë” në Vlorë mund ta vëzhgosh në çdo kohë, nëse shkon në rrugën që kalon pranë e që të çon për në Orikum. Pasi ditën dhe natën, pikërisht sapo del nga tuneli i “Ujit të Ftohtë”, pranë murit prej betoni që po ndërtohet në të djathtë, apo në krahun e detit, sheh grupe njerëzish që bëjnë rojë. Nga njëra anë janë gardistë, të urdhëruar që të mos lejojnë banorët të bëjnë ndërtime në një pjesë të bllokuar e të rrethuar të kësaj zone, kurse nga ana tjetër janë banorët, pronat e ligjshme të të cilëve po u rrezikohen. Të njëjtët gardistë këto ditë të fundit janë vënë në rojë edhe të murit prej betoni që ka nisur të ngrihet dhe që po i devijon projektit fillestar të publikuar e të njohur nga të gjithë për rrethimin e ish-vilës së Mehmet Shehut. “Gjithë problemi është se muri po i drejtohet pronës sonë që trashëgojmë prej më shumë se 100 vitesh, ku në mes të saj gjendet ende e padëmtuar shtëpia e vjetër e babait. Pra, ne këtë pronë e kemi pasur shumë kohë më parë se shteti komunist ta shtetëzonte. Duke ndërmarrë veprime krejt ligjore, e njëjta pronë na është rikthyer në vitin 1996 nga Komisioni i Kthimit të Pronave, ndërkohë që Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare ka humbur që të gjitha rekurset deri në Gjykatën e Lartë, e cila është shprehur në favorin tonë me anë të vendimit 429 të datës 25 shkurt 2003”, thotë i revoltuar Ali Kadëna. I njëjti pronar i truallit shpjegon se në situatën e krijuar nuk dinë se si të veprojnë, kur vetë shteti është duke shkelur ligjin me të dy këmbët, në vend që ta garantojë atë dhe kur djemtë e rinj të të gjitha familjeve që dëmtohen, janë duke bërë rojë natën e ditën dhe në momente acarimi, apo të provokuar, mund të shkojnë drejt veprimeve ekstreme.  
Nga ana tjetër, në mbrojtje të së drejtës së banorëve është vendosur Bashkia e Vlorës, e cila jo vetëm që ka kundërshtuar ndërtimin e murit rrethues, por edhe ka gjobitur në shifrën 5 milionë lekë të vjetra firmën ndërtuese. Gjithsesi, më shumë se një objektiv i iniciuar nga qeveria, veprimet e ndërmarra në dëm të pronarëve të trojeve në këtë zonë të preferuar turistike të Vlorës, duket kanë degjeneruar në përmbushje dëshirash me sfond të palexueshëm të përfaqësuesve lokalë të shtetit. “Nuk po na duken shumë si veprime të shtetit, sesa si veprime në emër të shtetit”, e përfundon ligjëratën 75-vjeçari Kadëna, si për të paralajmëruar një situatë tepër të ngarkuar që mund të pjellë në çdo kohë pasoja të padëshirueshme.  

Në shtator u përdorën forcat speciale për të bllokuar pronën

Në fakt, inkursioni shtetëror ndaj pronarëve të disa trojeve në zonën e “Ujit të Ftohtë” në Vlorë ka nisur në mes të shtatorit të vitit të shkuar. Kur forcërisht, me ndihmën e forcave speciale të policisë, të angazhuara aktivisht, në krahun e sipërm (majtas) pasi del nga tuneli, u pezullua ndërtimi i disa objekteve dhe u rrethua i gjithë terreni me rrjeta e tela me gjemba. Ky veprim i policisë merrte shtysë nga një vendim i Këshillit të Ministrave i qershorit 2008, për administrimin e pronave të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare. Por trojet e bllokuara e të rrethuara me tela me gjemba ndërkohë ishin konvertuar në pronë të ligjshme të pronarëve të ndryshëm, të fituara sipas ligjeve në fuqi të shtetit. Madje në të njëjtën pjesë të bllokuar ishin ndërtuar ndërkohë, duke u respektuar të gjitha ligjet e shtetit, një ndërtesë pesëkatëshe, një trekatëshe dhe dy të tjera, ku sapo kishin nisur punimet. Vendimi ekstrem për të bllokuar këtë zonë hasi në kundërshtimin e pronarëve, të cilët, të acaruar, u konfliktuan me policinë duke përfunduar të dhunuar e të rrahur qelive të izolimit. Gjithsesi, deri tani megjithëse kanë pasur ligjin në favor, pronarët e trojeve kanë rezultuar të humbur. Pasi, pa pritur asnjë vendim gjyqësor, menjëherë më pas policia dhe ushtarët e Gardës i rrethuan pronat e tyre me rrjeta e tela me gjemba, duke instaluar në këtë zonë roje 24-orëshe.   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›