UEFA, 100 mijë euro për gjyqtarët shqiptarë
UEFA është e gatshme të akordojë për Shqipërinë një fond prej 100 mijë eurosh, i cili do të përdoret për sektorin e gjyqtarëve. Këtë e ka pohuar shefi i sektorit të bluzave të zeza në FSHF, Plarent Kotherja, i cili ka thënë se për herë të parë Federata Shqiptare e Futbollit do të marrë pjesë në konventën e gjyqtarëve. "Është hera e parë për Federatën tonë që merr pjesë në këtë konventë të përvitshme, që zhvillohet në fund të muajit janar. Ftesa që kemi marrë është edhe një sinjal se nëse përmbushim kriteret e duhura, atëherë UEFA do të akordojë edhe një fond prej 100 mijë eurosh për sektorin e gjyqtarëve në Shqipëri", ka thënë Kotherja. Ndërkaq, dje është zhvilluar një takim me gjyqtarët në FSHF, ku është bërë një analizë e hollësishme për rendimentin e tyre gjatë fazës së parë. "Ua treguam me pamje filmike të gjitha gabimet që kanë bërë secili prej tyre. Lista e dhjetë më të mirëve do të ketë ndryshime, por unë nuk mund t'ua jap dot emrat, pasi këtë vendim e merr Komiteti Ekzekutiv", ka shtuar Kotherja.