E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani thërret Canën në Itali

Nga Express më 22 prill 2011 në ora 12:45

Pas Igli Tares, Erjon Bogdani e ka këshilluar shokun e Kombëtares, Lorik Cana, që të transferohet në Lazio. Sipas sulmuesit të Cesenës, mesfushori i Galatasarayt do të përshtatej mjaft mirë në futbollin italian, ku do ta bënte hapin më të madh të karrierës.

Lazio e ka shprehur interesimin për mesfushorin gjakovar, por gjithçka do të dihet gjatë verës. Edhe vetë përfaqësuesi shqiptar duket se e ka ndërmend të lëvizë nga Stambolli, pasi të përfundojë sezoni atje.

“Dëshiroj ta këshilloj Lorik Canën që të vijë dhe të luajë në Serie A. Këtu do ta kishte mundësinë më të mirë në karrierën e tij. Kampionati italian është më i rëndësishmi në botë dhe Lazio është ekip i madh, ku do të mund të bënte karrierë të bujshme. E di se është në formë të mirë dhe Galatasaray gjithmonë e ka trajtuar mirë, por Lazio është diçka tjetër, me një histori tjetër dhe rëndësi tjetër”, deklaroi Bogdani për agjencinë shqiptare Sot.

- “Klubi turk kishte vështirësi dhe probleme këtë vit, kështu që Loriku do të mund t’ia demonstronte botës potencialin e tij duke luajtur në Serie A. Janë shumë skuadra që e dëshirojnë, por unë e këshilloj ta zgjedhë Lazion. Është mundësia më e mirë që mund ta zgjedhë, jam i sigurt se në Romë do ta donin”, vazhdoi sulmuesi tiranas.

Cana mund të largohet gjatë verës nga Galatasaray. Përpos Lazios dhe Milanit, ekipi i fundit që ka shfaqur interesim është edhe ish skuadra e tij, Paris Saint Germain.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›