E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkojnë informata

Federata Shqiptare e Futbollit zyrtarisht ka kërkuar informacione nga FC Prishtina rreth gjendjes së përgjithshme në të cilën gjendet stadiumi i kryeqytetit, ku kuqezinjtë mendojnë t’i zhvillojnë ndeshjet e radhës. Bardhekaltrit shpresojnë që të ndihmohen nga institucionet shtetërore, në mënyrë që t’i bëhet gati stadiumi Kombëtares shqiptare. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 22 prill 2011 në ora 12:51

Ideja që Kombëtarja shqiptare në një të ardhme të afërt t’i zhvillojë ndeshjet zyrtare të saj në kryeqytetin e Kosovës mund të realizohet. Kjo pasi ‘shtëpia’ e kuqezinjve, “Qemal Stafa” pritet të rinovohet, me ç’rast Kombëtarja shqiptare duhet të kërkojë ‘strehim’ diku tjetër.

Madje, drejtuesit e FC Prishtinës kanë treguar të enjten se kanë marrë një shkresë zyrtare nga FSHF-ja, e cila ka kërkuar informacione rreth gjendjes së përgjithshme në të cilën gjendet stadiumi i kryeqytetit.

“Ne vlerësojmë stadiumin e KF Prishtinës si një mundësi për t’i zhvilluar këto ndeshje. Do ju kërkojmë që të na dërgoni një raport në lidhje me standardet e stadiumit tuaj infrastrukturore dhe logjistike, në mënyrë që të kemi një ide më të qartë”, thuhet pos tjerash në shkresën e FSHF-së dërguar bardhekaltërve.

Në anën tjetër, prishtinasit ndihen të nderuar nga kërkesa e kuqezinjve. Aktualisht stadiumi i kryeqytetit nuk i plotëson kriteret e vëna nga FIFA e UEFA për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare. Por, drejtuesit e FC Prishtinës besojnë se brenda dy muajve mund t’ia përgatisin stadiumin Kombëtares shqiptare për t’i zhvilluar ndeshjet e radhës eliminatore për ‘Euro 2012’, me ndihmën e institucioneve tjera shtetërore.

“Pas disa punimeve që i kemi bërë, tani nuk jemi aq larg që t’i kryejmë edhe disa punime tjera, në mënyrë që stadiumi ynë t’i plotësojë kriteret për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare. Ftoj të gjitha institucionet të na ndihmojnë në këtë drejtim Qeverinë e Kosovës dhe Komunën e Prishtinës”, ka deklaruar kreu i FC Prishtinës, Remzi Ejupi në një konferencë për media.

Shqipëria ndeshjet si vendase në kuadër të kualifikimeve për Euro 2012 do t’i zhvillojë më 2 shtator kundër Francës dhe më 11 tetor kundër përfaqësueses rumune. Nëse njëra nga këto takime do të zhvillohet në vendin tonë, me siguri se stadiumi i Prishtinës nuk do të ketë kapacitet t’i pranojë të gjithë tifozët e interesuar për ta përkrahur ekipin kuqezi.

“Është një shans i mirë që Kosova ta bëjë një marketing të mirë nëse Franca apo edhe Rumania zbarkojnë në Prishtinë për të luajtur ndaj Shqipërisë. I ftoj të gjitha institucionet të na mbështesin dhe mos ta humbim këtë shans”, theksoi Ejupi.

Por, ende nuk dihet se me sa para do të rregullohej infrastruktura në stadiumin e Prishtinës, që të jetë i gatshëm t’i shërbejë ekipit të Josip Kuzes. Bardhekaltrit thonë se shpejt do ta bëjnë një parallogaritje. Ejupi përjashtoi mundësinë që FIFA dhe UEFA ta pengojnë Kombëtaren shqiptare që ndeshjet zyrtare të saj t’i zhvillojë në Prishtinë, vetëm pse Kosova ende nuk është anëtare e këtyre dy asociacioneve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›