E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani titullar ndaj Lazios, Tare në pankinë

Erjon Bogdani mendohet të jetë titular për Livornon në përballjen kundër Lazios që do të zhvillohet të dielën me fillim prej orës 15:00 në stadiumin "Armendo Picchi" të qytetit të Livornos. Sulmuesi shqiptar që akoma nuk ka shënuar gol në këtë sezon me skuadrën aktuale do të luajë në repartin ofanziv duke pasur për partner Tavanon, si rrallëherë në këtë sezon pasi skuadra livorneze zakonisht ka luajtur vetëm me një sulmues. Duket se trajneri i ri Camolese ka vendosur që të hedhë në fushë një skuadër ofansive duke parë edhe nevojën e madhe për pikë pasi Livorno është skuadra e fundit në renditjen e Serie A me vetëm 2 pikë të mbledhura në shtatë ndeshje.
Ndërkohë për Lazion si titular mendohet të aktivizohet zvicerani me prejardhje kosovare Valon Behrami, ndërsa ish-kapiteni i kombëtares shqiptare Igli Tare do të jetë në pankinë në këtë përballje dhe mund të shpresojë për t'u aktivizuar nëse gjërat nuk shkojnë mirë për dyshen sulmuese laciale, Pandev e Rocchi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›