Lala e Kapllani rezervistë me skuadrat e tyre

Dy futbollistët e kombëtares shqiptare që aktivizohen në Bundesligën gjermane, Edmond Kapllani e Altin Lala nuk duket se do të kenë një fundjavë të mbarë sa i përket aktivizimit me skuadrat e tyre. Që të dy legjionarët shqiptarë figurojnë vetëm si rezervistë në formacionet e mundshme të Hannover dhe Karlsruhe për ndeshjet që do të zhvillojnë të dielën.
Përderisa mosaktivizimi i Lalës si titullar me Hannoverin në ndeshjen e së dielës ndaj Wolfsburg mund të ketë ardhur si rezultat i ngarkesës fizike që kapiteni i kuqezinjve ka pasur javën e fundit kur ka zhvilluar dy ndeshje me kombëtaren shqiptare, në anën tjetër mosaktivizimi i Kapllanit si titullar ndaj Arminia Bielefeld vetëm e konfirmon edhe një herë faktin se shqiptari e ka humbur statusin e titullarit te skuadra e Edmund Becker pasi në katër ndeshjet e fundit ai është futur në lojë si reservist, ndërsa nuk ka arritur akoma që të shënojë golin e tij të parë në Bundesliga megjithëse ka zhvilluar shtatë ndeshje.
Ndërkohë në pankinë do të gjendet edhe mesfushori i ri shqiptar i Eintracht Frankfurt, Faton Toski. 20-vjecari është grumbulluar për ndeshjen FC Nurnberg dhe shpreson të shpërblehet nga trajneri Friedhelm Funkel me ndonjë minutë aktivizim në këtë ndeshje.