Bogdani tremb Interin, supergol në "San Siro"
ROME- Erjon Bogdani ka zhvilluar një ndeshje spektakolare dje në "San Siro" kundër Interit, duke realizuar një gol tepër të rëndë, që mund t'u kishte kushtuar shumë kampionëve të Italisë. Sulmuesi kuqezi rihapi takimin, kur ndeshja ishte 2-0 për zikaltërit. I lënë i lirë nga Materaci, ai e stopoi topin me gjoks dhe goditi me një gjysmë kthesë, duke i habitur të gjithë tifozët e pranishëm në stadiumin e Milanos. Goli i tij i dha zemër Çezenës, e cila më pas barazoi me anë të Xhakerinit, por vetëm kaq, pasi Interi më pas vendosi "veton" në fushën e lojës, falë edhe kampionëve të shumtë në përbërje. Takimi i djeshëm ishte i vlefshëm për javën e 16-të të Serisë A dhe që ishte shtyrë për shkak të Botërorit të klubeve. Interi realizoi dy herë në minutat 14' dhe 15' me Etonë dhe Militon, ndërsa Bogdani e Xhakerini barazuan në minutat 23' dhe 29'. Në fundin e pjesës së parë, Kristian Kivu shënoi me kokë, duke shuar shpresat e Çezenës për të dalë me pikë nga "San Siro".
(Altin Latifi/BalkanWeb)
(Altin Latifi/BalkanWeb)